Taksa e ndikimit në infrastrukturë zë peshën kryesore në totalin e të ardhurave që arkëtojnë bashkitë të vend. Por si ka qenë ecuria e pushtetit vendor në vjeljen e kësaj takse? Gjatë vitit 2022 vendorët mblodhëm në total rreth 10.1 miliardë lekë, me një rritje prej 7.2 përqind krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat janë publikuar në raportin mbi qeverisjen vendore në Shqipëri 2022 të hartuar nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë, ku rezulton se performanca pozitive që është vërejtur përgjatë vitit 2022 i atribuohet 34 bashkive e më së shumti bashkive Tiranë (+112.1 milionë lekë), Kamëz (+132.7 milionë lekë), Sarandë (+139.8 milionë lekë), Vlorë (+184.4 milionë lekë) dhe Shkodër (55.5 milionë lekë).
Ndërkohë që evidentohen një numër bashkish si bashkia Lezhë (-106 milionë lekë), bashkia Korçë (-18.6 milionë lekë) dhe bashkia Kurbin (-14.3 milionë lekë) të cilat kanë performuar dobët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo mund të shpjegohet me faktin se të ardhurat nga kjo taksë janë të varura ekskluzivisht nga kërkesa për leje ndërtimi si dhe nga miratimi i tyre nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, ç’ka e bën këtë taksë jo fort të parashikueshme dhe për rrjedhojë me karakter të ç’rregullt.
Duke qënë se për disa nga bashkitë e marra në analizë, të ardhurat nga kjo taksë kanë një përpjesë të rëndësishme në totalin e të ardhurave nga taksat vendore, rekomandohet që këto bashki të jenë të kujdesshme në planifikimin e të ardhurave nga kjo taksë në periudhat afatmesme në mënyrë që të mos hasin situata të “parashikimeve tejet optimiste” që mund të konkretizojnë mundësinë e krijimit të detyrimeve të prapambetura në krahun e shpenzimeve buxhetore të tyre.