Stoku i detyrimeve të prapambetura nga njësitë e pushtetit vendor shënoi rritje gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, pas më shumë se 7 vitesh që kishte tendencë rënëse. Sipas raportit të Financave Vendore, të publikuar nga CoPlan, që prej vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ka ndjekur prirje rënëse, por në janar – mars 2023, që përkon me periudhën parazgjedhore, shënoi një nivel prej rreth 5.9 miliardë lekë apo 36 milionë lekë më i lartë se niveli i shënuar në fund të vitit 2022.
Niveli më i lartë i stokut të detyrimeve të prapambetura u regjistrua në bashkinë Tiranë me rreth 1.7 miliardë lekë ose rreth 29% ndaj stokut total në fund të marsit 2023. Rreth 37% e tyre janë detyrime për investime, 10% për shërbime dhe rreth 45% e këtyre detyrimeve janë për shpenzime “të tjera”. Bashkia Kavajë renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 771 milionë lekë ose rreth 13% ndaj totalit. E treta për peshën ndaj stokut të detyrimeve të prapambetura rezulton bashkia Vorë me rreth 412 milionë lekë apo rreth 7% e stokut total të detyrimeve në fund të tremujorit të parë 2023.
Por, teksa bashkitë nuk likujdojnë detyrimet që kanë ndaj palëve të treta, të dhënat mbi shpenzimet tregojnë se mbi gjysma e të ardhurave shkon për mbulimin e pagave dhe sigurimeve. Sipas raportit, ky zë përbën 54% të shpenzimeve totale, ndërkohë që 29 % e tyre shkon për shpenzime operative. Ndërkohë që, vetëm 17% e buxheteve të njësive të pushtetit vendor shkon për shpenzime kapitale, ku përfshihen investimet.
Burimi: Scan Tv