“Scan Intel” vijon me analizën e rradhës kundrejt tregjeve të caktuara. Këtë herë do t’i rikthehemi industrisë së përpunimit të qumështit në vend, për të parë ecurinë e tregut për vitin 2021. Për të parë performancën e këtij tregu do i referohemi të dhënave financiare të depozituara pranë QKB-së, nga 16 kompanitë më të mëdha që operojnë në këtë sektor, sipas të ardhurave. Megjithatë ndryshe nga analiza e parë për vitin 2020, duhet të theksojmë që për vitin 2021 mungojnë të dhënat e kompanisë “SOAL”, pasi ka pezulluar aktivitetin.
Nga analiza rezulton se të ardhurat në total përgjatë vitit 2021 ishin në vlerën 4.5 mld lekë ose rreth 39.9 mln euro. Krahasuar më analizën e të dhënave të vitit 2020, shohim që tregu ka pësuar një rritje në vlerë absolute me rreth 404 milionë lekë ose me 10%.
Nga analiza e pasqyrave financiare për vitin 2021, rezulton se “ERZENI” është kompania me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 1.35 mld lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2021-shit, duke e pozicionuar në vend të parë, ndër totalin që janë marrë në studim. “LUFRA” ka kaluar e dyta, të ardhurat e të cilës për vitin 2021 llogariten në 1.34 mld lekë, duke e renditur atë të dytën në listën e kompanive të specializuara në përpunimin e qumështit dhe bulmetit me të ardhurat më të larta vjetore. Pra, vetëm këto dy kompani përbejnë mbi gjysmën e veprimtarisë së të tregut, ose 60% të tij.
“GJIROFARMA”, “MIRELI”, dhe “ORHAN” janë tre kompanitë e tjera që plotësojnë 5 vendet e para, përkatësisht 423 mln lekë të ardhura për “GJIROFARMA”, 235 mln lekë të ardhura për “MIRELI”, dhe 179 mln lekë për “ORHAN”. Renditja vijonë me kompani të tjera si “NAFA” me 173 mln lekë, “SHAKA” me 156 mln lekë, “Deltadoni” me 153 mln lekë, “Zepa Natyral” (pjesë e “AGS”), me 144 mln lekë, ndërsa pjesa tjetër e kompanive kanë gjeneruar një xhiro vjetore nën 100 mln lekë.
Krahasuar me vitin 2020, shohim që rritjen më të madhe në xhiron vjetore e ka pësuar kompania “NAFA”, me rreth 53% rritje ose e shprehur në vlerë absolute ka pësuar një rritje të aktivitetit me 59 milionë lekë. Ndiqet nga kompania “LA MOZZARELA” me 34% rritje dhe “MIRELI” me 27%. Nga ana tjetër vetëm tre kompani kanë pësuar një rënie të xhiros vjetore nga viti 2020 në vitin 2021, përkatësisht kompania “LUFRA” ka pësuar një rënie me 2%, duke zbritur nga vendi i parë, “BUNAFARM” me 23% si dhe “Zepa Natyral” me vetëm 0.4%
Sa i përket fitimit neto është po “ERZENI” kompania që mban vendin e parë. Rreth 84 mln lekë llogaritet fitimi neto për këtë kompani në 2021-shin. “LUFRA” renditet në vend të dytë, me 69 mln lekë, e ndjekur nga “GJIROFARMA”, me 17 mln lekë dhe “NAFA” me 10 mln. Në vend të 5-të ndjek “MIRELI”, me 8.3 mln lekë, “SHAKA” me 7.5 mln lekë dhe “Zepa Natyral”, me përafërsisht 4.3 mln lekë fitime.
Në total, kompanitë e marra në analizë kanë raportuar gjatë 2021-shit rreth 214 milionë lekë fitime neto, ose 1.9 mln euro. Krahasuar me të dhënat e vitit 2020, duke qënë se mungon fitimi neto i kompanisë “SOAL” e cila për vitin 2020 ishte me humbje, fitimi neto në total për 2021-shin llogaritet 105% më i lartë, me rreth 110 milionë lekë. Ndërkohë fitimi mesatar neto i të 15-të kompanive rezulton në 14 milionë lekë për vitin 2021. Konkretisht, rritjen më të madhe nga njëri vit në tjetrin duket se e kanë pasur kompani si “REND & BLED & CO” dhe “Deltadoni”, me një rritje mbi 1000%. Ndiqen nga “NAFA” me 93% dhe “SHAKA” me 47%. Nga ana tjetër, janë tre kompani që kanë pësuar rënie të fitimit të tyre neto, “Zepa Natyral” me 62%, “BUNAFARM” ka pësuar rënie me 23% dhe “LUFRA” me 7% rënie krahasuar me vitin 2020.
Si për të ardhurat, ashtu edhe për fitimet neto të kësaj industrie, rritja tenton të jetë konstante, herë pas here me një rritje të lehtë. Referuar pesë viteve të fundit, në 2020-tën u vu re një ulje e fitimit të industrisë me rreth 43% krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë që për kompanitë që kryesojnë listën duket se ka pasur një rritje të qëndrueshme ose të lehtë të të ardhurave, subjektet me përmasa më të vogla kanë pësuar renie të fitimit neto, madje kanë rezultuar dhe me humbje.
Sa i përket përqindjes marxhinale të fitimit, analiza e bilanceve të këtyre kompanive tregon se mesatarisht për të katër vitet e marra në analizë, kjo normë ngjitet nga 6%-9% për subjektet me të ardhura më të larta dhe 1%-4% përsa i përket subjekteve të tjera, referuar periudhës 2017-2021.
Nëse do t`i referohemi industrisë së përpunimit të qumështit në total, për vitin 2021 të ardhurat gjithëpërfshirëse për 15 kompanitë e marra në shqyrtim, kapin vlerat e 4.5 mld lekëve, 4.09 mld lekë për vitin 2020, 4.21 mld lekë për vitin 2019, 3.72 mld lekë për 2018 dhe dhe 2.83 mld lekë për vitin 2017, çka sinjalizon se është një industri stabël nga viti në vit. Bazuar sërish mbi të dhënat e deklaruara në pasqyrat financiare të këtyre subjekteve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për periudhën 2017-2021, e ardhura neto e industrisë arrin vlerat 214 mln lekë, 104 mln lekë, 182 mln lekë, 162 mln lekë dhe 91 mln lekë respektivisht për vitet 2021, 2020, 2019, 2018, 2017.
Nëse do të bëjmë një raport të fitimit neto ndaj të ardhurave gjithëpërfshirëse, rezulton se përqindja marxhinale e fitimit të industrisë është 5% për vitin 2021, 3% për vitin 2020, ndjekur nga 4% për vitin 2019, 4% për vitin 2018, 3% për vitin 2017.