Masa nxitëse për tu bashkuar në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, në mënyrë që të marrin financim 100 % përpos faktit nëse kanë më shumë numër zgjojesh se limiti i caktuar, i detyron bletërritësit që ta shesin mjaltin në tek një subjekt i licencuar me faturë. Udhëzimi i cili përcakton kriteret e mbështetjes së fermerëve përmes skemës Kombëtare 2024, aplikimet e së cilës janë hapur më 27 Mars, u tregon edhe “rrugën” që duhet të ndjekin për tu bashkuar.
Konkretisht, referuar udhëzimi, përfitues të mundshëm të mbështetjes janë fermerë individualë, grup fermerësh, SHBB-ja, person fizik ose juridik. Aplikanti duhet të ketë NIPT aktiv. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikimi quhet i vlefshëm vetëm nëse të gjithë anëtarët e grupit kanë NIPT me status aktiv. Aplikanti (ferme individual/grup fermerësh), duhet të ketë jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje.
Në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikantët duhet të kenë marrëveshje dakordësie/bashkimi të anëtarëve të grupit të fermerëve, e cila ngarkohet në sistem në momentin e aplikimit. Në marrëveshje përcaktohet numri total i zgjojeve për çdo anëtar dhe si grup, si dhe përfaqësuesi i grupit/subjektit që bën aplikimin.
Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë kontratë për shitjen e mjaltit, midis grupit të fermerëve dhe një subjekti të licencuar grumbullues/përpunues të mjaltit. Kontrata parashikon që sasia e mjaltit të dorëzuar të jetë jo më pak se 30% të prodhimit që realizon grupi (bazuar ne rendimentin mesatar në shkallë qarku, me referencë të dhënat e INSTAT).
Referuar udhëzimit, çdo anëtar i grupit të dorëzojë në AZHBR jo më pak se një faturë/autofaturë shitje të mjaltit. Sasia e mjaltit e pasqyruar në të gjithë faturat e dorëzuara nga grupi i fermerëve, të jetë jo më pak se 30% të prodhimit vjetor.
Po ashtu, përcaktohet se aplikanti si fermer individual në momentin e verifikimit të ketë jo më shumë se 1 vendndodhje për 50 zgjoje të bletëve, jo më shumë se 2 vendndodhje për 100 zgjoje dhe jo më shumë se 3 vendndodhje për 150 zgjoje. Zgjojet e bletëve duhet të jenë të matrikulluara dhe të regjistruara në regjistrin elektronik të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë. Aktualisht në Shqipëri prodhohen mesatarisht 5 mijë ton mjaltë.
Përfituesi nuk duhet të jetë debitor ndaj Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.
Marrë nga Scan