Lezha është një nga destinacionet më të frekuentuara nga të huajt gjatë verës por edhe gjatë muajve të tjerë të vitit për shkak të zhvillimit të agroturizmit. Në një intervistë për mediat, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Z.Pjerin Ndreu thotë se nëse bëhet një llogaritje bashkë me interesin nëpër site të ndryshme kulturore, rritja e vizitorëve e kalon 30 % krahasuar me një vit më parë. Lezha ka një sipërfaqe turistike bregdetare fantastike me plazhet e mrekullueshme të Shëngjinit, Tales, Kunes, Vanit e Ranës së Hedhun. Interesi për këto destinacione ka qenë i lartë.
“Akoma nuk kemi një shifër të saktë, por ajo që mund të them unë është që turizmi ka kulmuar, le të themi ka qenë i kënaqshëm që në qershor. Qershori ka qenë një muaj shumë i mirë, të paktën sipas të dhënave tona dhe konfirmimeve nga operatorët turistikë. Pastaj korriku ka pasur një rënie të lehtë por që e mori veten më vonë. Në total situata e marrë nga operatorët kryesorë turistikë që kanë njësi akomoduese më të organizuara dhe me numër më të madh dhomash është në rritje të dukshme. Diku 15, diku 20, diku 25%. Po ta lidhim këtë edhe me vizitat e të huajve në atraksione të tjera, si vendvarrimi i Skenderbeut, në lagunë, në agroturizme i bie që rritja është 33 “, tha Ndreu.
Interes kanë edhe atraksionet historike.
“Për shembull vetëm tek vendvarrimi i Skenderbeut brenda muajit shtator plotësojmë të gjithë kuotën e vitit të kaluar. Pra kalojmë 3 muaj pastaj mbi numrin total të vitit të kaluar, çka do të thotëqë ka një zhvillim pozitiv me gjithë problematikat që normalisht janë. Mos të harrojmë që patëm një vatër shumë të rëndë të zjarrit, kemi akoma probleme me infrastrukturën. Arritëm të nxjerrim dhe një rrugë tjetër për të lehtësuar trafikun në dalje të Shëngjinit, po shikohet dhe mundësia e hapjes së Milot-Balldren dhe më pas rruga Shëngjin –Velipojë. Pra ka një fluks projektesh që do ta kthejnë shpejt Shëngjinin.”- u shpreh Ndreu.
Z.Ndreu flet për destinacionet më të preferuara.
“Bregdeti, objektet historike, religjioze, laguna Kune-Vain është një perlë që vizitohet, agroturizmi. Kulinaria është një nga pikat më të forta që ka Lezha, përveç kombinacionit të jashtëzakonshëm natyror që ka në 30 km vijëbregdetare me Talen, me pjesën e Lagunës Kune Vain, të plazhit e kam fjalën, të Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun. Pastaj vjen Laguna në Vain që është një perlë është super e kuruar si zonë, ka pasur shumë vizitorë, numri i restoranteve është shumë i madh prezenca e madhe nëpër restorante, turistë nga e gjithë bota, dhe nga brenda Shqipërisë”.
Shqiptarët e Kosovës zënë 65 % të vizitorëve në bregdetin e Lezhës. Ata vazhdojnë të jenë besnikë të bregdetit tonë. Jo vetëm kaq, Shqiptarët e Kosovës tashmë po bëjne edhe biznes në Lezhë.
“E kam thënë nga 1 vit e gjysmë të paktënqë sot janë shit mbi 400 hyrje tek të huajt dhe 800 apartamente tek shqiptarët e Kosovës. Pra përveç asaj që ata janë frekuentues të lirive dhe të shpive private janë edhe frekuentues të apartamenteve të veta, plus kanë hapur biznese aty dhe janë prezent. Absolutisht nuk ka pasur asnjë kurbë rënëse, përkundrazi pjesëmarrja ka qenë akoma më e mirë, ka qenë edhe vete shërbimet e bashkisë, ka vite që e ruajnë ritmin e pastërtisë, rregullimit, dhe bashkëpunimit me operatorët turistik, kemi infopoint ku marrin informacion për gjithçka i duhet, ku do shkojnë atje, ka ndriçimi është tjetër gjë, pra ka disa përmirësime që në vite ne i kemi bërë por që vitin që vjen mendoj se do të kemi projekte të tjera për ta thelluar akoma më tepër përmirësimin e kushteve të pushuesve në zonat sidomos të Shëngjinit ku është dendësia më e madhe, të Tales gjithashtu që do ketë vitin tjetër dhe të Ranës së Hedhun”.
Turistët janë nga vende të ndryshme të botës.
“Janë Polakë, janë Gjermanë, janë Anglezë, Italianë ka shumë, që kanë blerë dhe hyrje, ka francezë, ka izraelitë, kanë ardhur holandezë, ka shumë që kanë ardhur nga Amerika, nga Kanadaja, përveç emigrantëve që vijnë që janë shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë, këtu shtojmë dhe pjesën e të huajve, që në fakt është në një rritje të jashtëzakonshme ”.
Kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu në një intervistë për Klan News përmendi pikat e forta që ka Lezha, të cilat e kanë kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara, siç janë çmimet konkurruese, bregdeti, zonat historike, kulinaria dhe agroturizmet.