Në komisionin e Ekonomisë dhe Financave guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar se borxhi bruto i sektorit publik pritet të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së gjatë vitit 2024, duke shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë.
“Projeksionet e projektbuxhetit sugjerojnë se borxhi bruto i sektorit publik pritet të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së gjatë vitit 2024, duke shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë. Niveli i lartë i borxhit publik ka qenë dhe mbetet një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, duke reduktuar aftësinë tonë në përballimin e goditjeve dhe duke diktuar kosto më të larta financimi për sektorin privat”.
Sipas Sejkos ekonomia shqiptare pritet të rritet rreth 3.5 % gjatë këtij viti.
“Sipas vlerësimeve tona, ekonomia shqiptare pritet të rritet rreth nivelit 3.5% gjatë vitit aktual dhe të shënojë rritje të mëtejshme gjatë vitit të ardhshëm”
Në drejtim të rritjes së efektivitetit dhe fleksibilitetit të financave publike në të ardhmen, Banka e Shqipërisë sugjeron adoptimin e një plani pune, i cili duhet të synojë rritjen e qëndrueshme të nivelit të të ardhurave publike, si dhe mundësinë e adoptimit të një objektivi operacional afatgjatë, i cili të garantojë ruajtjen e një balance korente pozitive, në një nivel të caktuar.