Në datën 17 shkurt 2023, një delegacion nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) zhvilloi një vizitë pune në Bankën e Shqipërisë, në kuadrin e dialogut me partnerët evropianë për vlerësimin e programit të reformave ekonomike për vitin 2023.
Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i zhvillimeve dhe politikave ekonomike, financiare e bankare, me drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë takimit të zhvilluar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, delegacioni i BQE-së u njoh më në detaje me zhvillimet më të fundit makroekonomike të Shqipërisë dhe pritjet e BSH-së për ecurinë e ekonomisë së vendit.
Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka shfaqur një rezistencë të konsiderueshme ndaj goditjeve të ardhura nga pandemia dhe, së fundmi, nga lufta në Ukrainë. Në këtë kontekst, ai theksoi se rimëkëmbja ekonomike pas emergjencës së pandemisë ka qenë e shpejtë dhe e gjithanshme, duke dëshmuar si bilancet e shëndosha dhe fleksibilitetin e sektorit privat, ashtu edhe kursin e duhur të politikave monetare, financiare dhe fiskale gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, Guvernatori nënvizoi se rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 ka sjellë rritje të shpejtë të inflacionit në vend. Megjithatë, kjo rritje është shfaqur e kontrolluar, si pasojë e reagimit të politikës monetare, e forcimit të kursit të këmbimit dhe e kontrollit të çmimeve të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë, aktiviteti ekonomik në vend, punësimi e pagat, kanë vijuar të rriten.
Lidhur me tregjet financiare, Guvernatori u shpreh se ato vazhdojnë të jenë të qeta. Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur tendenca forcimi, ndërsa transmetimi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet gjithnjë e më i plotë. Megjithatë, kredia për sektorin privat vijon të rritet dhe bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme.
Më tej, ai theksoi se perspektivat e treguesve kryesorë ekonomikë mbeten relativisht solide. Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Këto parashikime janë konsistente me vijimin e procesit të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, por shpejtësia e këtij normalizimi do të varet nga informacioni i ri, ecuria e presioneve inflacioniste dhe balanca e rreziqeve mbi to.
Në mbyllje, Guvernatori falënderoi BQE-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Bankës së Shqipërisë, mbështetje kjo e shprehur jo vetëm në formën e shkëmbimit të informacionit dhe të dialogut të vazhdueshëm mbi politikat, por edhe në formën e linjës së likuiditetit në vlerën 400 milionë euro të akorduar gjatë pandemisë dhe të rinovuar së fundmi. Ai theksoi se pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje huaje e kolateralizuar (REPO) nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet i dobishëm në kuadër të pasigurive të shtuara në ekonominë globale dhe tregjet financiare, që vijnë kryesisht nga vazhdimi i luftës në Ukrainë.