Prezantohet projektbuxheti 2024 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Në një postim në rrjetet sociale ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete shkruan se projektbuxheti i vitit 2024 parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për drejtësinë, ose mbi dyfishin e buxhetit të akorduar në vitin 2016 përpara nisjes së Reformës në Drejtësi.
“Shpenzimet e personelit për punonjësit e sistemit të drejtësisë parashikohen të jenë 16 miliardë lekë, ose 9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016.
Shpenzimet për investime në vitin 2024 në sektorin e drejtësisë parashikohen rreth 2.3 miliardë lekë, duke financuar përmirësimet e mëtejshme në infrastrukturë dhe në sistemet e teknologjisë së informacionit” thotë Mete.