Më 27 tetor, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science – LSE), organizon konferencën vjetore me temë “Rikthimi i inflacionit: Si mund ta përballojmë në kushtet e pasigurive të shtuara?”.
Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me pjesëmarrjen e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj, përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Të pranishëm janë gjithashtu përfaqësues të lartë të bankave qendrore; përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë; përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; të rretheve akademike në vend; përfaqësues të sistemit bankar e financiar; përfaqësues të medias; si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë.
Kjo është konferenca e 16-të vjetore e Bankës së Shqipërisë dhe e treta që organizohet në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science), një ndër 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike, shoqërore e ndërkombëtare.
Konceptuar në tre sesione, punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Drejtorit të Kërkimeve të LSE-së për Evropën Juglindore në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, z. Vassilis Monastiriotis; dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë prezantoi këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë mbi sfidat që rritja e shpejtë e inflacionit në vend sjell për ekonominë shqiptare, për aktorët ekonomikë, për shoqërinë dhe për vendimmarrësit. Guvernatori Sejko u shpreh se rritja e shpejtë e inflacionit buroi nga goditje të ofertës në tregun e huaj, por ajo ka filluar të transmetohet në strukturën e kostove dhe të pritjeve për inflacionin në ekonominë shqiptare. Si të tilla, burimet e inflacionit shfaqen të forta dhe të qëndrueshme, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe duke kërkuar ndërhyrjen e politikës monetare. Bazuar në këto konsiderata, Banka e Shqipërisë ka filluar një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare, duke e vlerësuar këtë normalizim të domosdoshëm për respektimin e stabilitetit të çmimeve dhe dobiprurës për ekonominë dhe shoqërinë në afatin e mesëm e të gjatë.
Guvernatori Sejko theksoi se, paralelisht me kontrollin e inflacionit, normalizimi i politikës monetare nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike. Ndonëse rritja ekonomike pritet të ngadalësohet disi në horizontin afatshkurtër, ajo do të qëndrojë në territor pozitiv dhe do t’i kthehet trendeve të veta normale në afatin e mesëm dhe të gjatë. Për këtë arsye, gjykimi mbi qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike ndikon dhe qëndrimin e politikës monetare. Ndër të tjera, kjo qëndrueshmëri bazohet edhe në shëndetin e bilanceve financiare të ekonomisë dhe në stabilitetin monetar e financiar të vendit, stabilitet i cili ka pasqyruar dhe punën e vazhdueshme dhe reformat strukturore të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet shqiptare gjatë viteve të shkuara.
Në mbyllje, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë disponon një metodologji të qartë, konsistente dhe bashkëkohore, për hartimin dhe zbatimin e politikave të saj. Kjo metodologji jep garanci se këto politika do të jenë koherente dhe optimale për zhvillimin e vendit.
Duke falënderuar të pranishmit, Guvernatori Sejko u shpreh se konkluzionet e paneleve të konferencës do t’i ndihmojnë të gjithë pjesëmarrësit në konferencë për të vlerësuar jo vetëm sfidat e ditës, ndër të cilat primare mbetet niveli i lartë i inflacionit, por edhe sfidat e së ardhmes, të cilat do të kushtëzojnë gjithnjë e më shumë zhvillimin e ekonomive tona, në një të ardhme jo të largët. Në këtë kontekst, ai theksoi se ndryshimet klimaterike, trendet e pafavorshme demografike, inovacioni financiar dhe tensionet gjeopolitike, duhet të marrin gjithnjë e më tepër vëmendje nga analistët ekonomikë dhe institucionet vendimmarrëse, për të identifikuar pasojat e mundshme dhe reagimin e duhur përballë tyre.
Sesioni i parë i konferencës do të trajtojë arsyet e rikthimit të inflacionit në ekonomitë e tregjeve të zhvilluara dhe të atyre në zhvillim, si dhe veprimet që mund të ndërmarrin bankat qendrore për ta mbajtur atë nën kontroll.
Gjatë sesionit të dytë, diskutimet do të fokusohen në përpjekjet e bankave qendrore për mbajtjen nën kontroll të inflacionit, ndërkohë që përgjegjësitë e tyre zgjerohen edhe në fusha të tjera.
Sesioni i tretë, Ppaneli i Guvernatorëve, do të moderohet nga z. Cristian Popa, Ish-Këshilltar në Bordin Drejtues të Iniciativës së Vjenës dhe ish-Zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare të Rumanisë. Ai do të mbledhë në një tryezë të veçantë diskutimi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Guvernatoren e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska; Zëvendësguvernatorin e Bankës Kombëtare të Hungarisë, z. Barnabás Virág; Anëtarin e Bordit të Drejtorëve në Bankën Kombëtare të Rumanisë, z. Csaba Bálint.
Në Panelin tradicional të Guvernatorëve do të diskutohen dhe shkëmbehen përvojat në adresimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, gjithashtu nga rritja e inflacionit, si dhe opsionet për normalizimin e politikës monetare, ndërsa vendet përballen me sfida specifike të politikës monetare, ekonomike dhe të stabilitetit financiar. Guvernatorët do të ndajnë vizionin e tyre për sfidat e ardhshme për bankat qendrore në rajon dhe do të komentojnë lidhur me kombinimin optimal të politikave për të arritur objektivat e tyre, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme nga BQE-ja në këtë fazë të re dhe veçanërisht sfiduese të politikës.
Burimi: Banka e Shqiperise