Në datën 20 Maj, një nga rrjetete më të mëdha të hotelerisë në Durrës, Fafa Resorts pret turistët e parë të organizuar. Në një intervistë për mediat, Sipërmarrësi Fatos Çerenishti tha se tashmë hotelet janë gati prej muajsh për të pritur vizitorët në sezonin e ri.
“Hotelet e Durrësit dhe kavajas që nga muaji mars i kanë hapur të gjitha hotelet. Presin që të vijnë turistët e parë, pasi fundjavat kanë qenë të pamjaftueshme për të na plotësuar. Presim të mbërrijnë në datën 20 maj, dhe pastaj deri në fund të shtatori të jenë prezentë në strukturat tona. Po merremi me përgatitjen e stafit dhe janë gati të gjitha strukturat tona për të pritur turistët e parë që do vijnë të organizuar. “- tha Çerenishti.
E ndërsa gjatë verës kjo zonë ka një dyndje të pushuesve, sërish në Durrës e Golem mungojnë turistët elitarë.
“Kampionë të bregdetit shqiptarë kryesisht të Durrësit janë Polakët dhe Çekët, pastaj vijnë Gjermanë dhe Nordikë por nuk janë edhe vendet e rajonit, tregu kosovar dhe tregu serb që vjen në 3 vitet e fundit në mënyrë private dhe jo të organizuar. Kemi edhe tregun Italian, por thashë kampionë janë polakët dhe cekët që vazhdojnë të kenë kërkesa pafund, pasi bregdeti Shqiptar është i bekuar, kemi klimë të mrekullueshme. Ne ende vazhdojmë të kemi turistë të nivelit të mesëm dhe poshtë, dhe ende nuk kemi të nivelit elitar siç ne pretendojmë dhe kjo për faktin se jemi të rinj në këtë strukturë dhe shërbimet tona janë në nivele mesatare. Klientët që presim ne janë të po këtij niveli. “ – thotë sipërmarrësi.
Këtë vit sipas përfaqësuesve të hoteleve, kërkesat nga tur operatorët Evropian janë rreth 10-15% më të larta se në vitet e tjera.
“ Kjo na bën që edhe këtë vit hotelet tona të jenë të mbushura me kapacitet të plotë, bilës oferta është më e vogël sesa kërkesat që kanë tur operatorët për 2023. “- tha Çerenishti.