Turizmi patriotik zë një vënd mjaft të rëndësishëm gjatë sezonit turisitik në Shqipëri, por duket se këtë vit është “zbehur” në një nga zonat më të frekuentuara prej tyre, siç është plazhi i Durrësit.
Në një intervistë për Probizz.al, Z. Blerim Norja, menaxher i një prej hoteleve në bregdetin e Durrësit, thotë se mund të kenë ndikuar edhe çmimet që kanë pësuar rritje për disa faktorë.
“Ky vit paraqitet shumë i mirë, pra nga fillimi i vitit ka pasur rezervime për sezonin 2023, por duke u bazuar në statistikat e muajit maj dhe qershor, ka një ndryshim nga sezonet e kaluara, pasi ka qenë shumë e lartë kërkesa nga turistë të huaj, pra nga turistë që pjesa më e madhe janë nga Polonia dhe Çekia dhe një pjesë nga vendet skandinave, dhe është zvogëluar kërkesa nga shqiptarët e Kosovës, vendet e rajonit dhe diaspora. Nëse në vitin e kaluar në muajin maj dhe qershor 60 % e dhomave ishin me turistë të huaj, dhe 40 % ishin me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, dhe diasporës, këtë vit ka një diference, 90 % e dhomave janë me të huaj dhe 10 % janë me shqiptarë të Kosovës dhe diasporës. Këtu besoj se ka ndikuar edhe pjesa e çmimeve, pasi në këtë sezon ka pasur një ndryshim të çmimeve, pra një rritje nga 10 deri ne 20 % në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas Z.Norja, rritja e çmimeve ka qenë e detyruar për disa faktorë.
“Faktori me kryesor është rritja e kostove të lëndës së parë, energjisë elektrike, por edhe rënia e kursit të euros e cila ndikon shumë edhe në rritjen e çmimeve, pra ne shesim euro, por blejmë lekë dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve. Pra, ky 10 ose 20% e çmimeve, varet nga hotelet e ndryshme që ka pasur një rritje, mendoj që është një rritje brenda normave të justifikuara për arsye që nuk varen nga hotelet, por thjesht nga kushtet e ekonomisë”.