Çmimi i naftës ka zbritur për herë të parë në vend në nivelet më të ulëta që nga fillimi i marsit, përpara fillimit të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Bordi i Transparencës vendosi që, nafta do të tregtohet me 192 lekë për litër, nga 197 lekë që ishte deri tani.
Ky është niveli më i ulët që nga 2 marsi 2022. Më pas çmimet filluar rritjen e shpejtë, si rrjedhojë e çrregullimeve që solli në tregun global lufta, duke kulmuar deri në 265 lekë për litër.
Edhe çmimi i benzinës është ulur me tre lek, duke u tregtuar në vend me 187 lekë.
Në ndryshim, gazi ka pësuar një rritje të lehtë.
Që prej mesit të muajit mars 2022, çmimet e naftës vendosen nga Bordi i Transparencës. Operatorët e tregut janë ankuar vazhdimisht se ndërhyrjet e Bordit kanë mbajtur artificialisht çmime më të larta, pasi u kanë hequr tregtuesve mundësinë që të jenë fleksibël me blerjet e tyre në tregjet ndërkombëtare, në momentet kur çmimet janë të favorshme.
Në bursat ndërkombëtare, çmimet e naftës kanë zbritur në nivelet më të ulëta që nga janari 2022. Në atë kohë në tregun vendas, nafta tregtohej me rreth 180 lekë/litër, ose 12 lekë më lirë sesa sot.
Vendimi i Bordit
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 3 Shkurt 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 02.02.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 846, -12 nga data 01.02.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 826, -35 nga data 01.02.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 106.29 (-1.07 nga data 01.02.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.
- Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.
- Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 98 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 3 Shkurt, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Burimi: Revista Monitor