Coca-Cola ka vendosur të përfshihet më tepër në fushën e inteligjencës artificiale duke firmosur një marrëveshje të re me OpenAI.
Në deklaratën për shtyp ku lajmërohet arritja e kësaj marrëveshje nuk tregohet vlera monetare e partneritetit midis Coca-Cola, OpenAI dhe Bain. Megjithatë duke parë investimin prej miliarda dollarësh të Microsoft në këtë kompani, duket se ky partneritet do të jetë i suksesshëm.
Nëpërmjet një deklarate, CEO i Coca-Cola James Quincy tregoi se kompania “është tepër e kënaqur të prezantojë gjeneratën e re të kreativitetit të ofruar nga teknologjia e re që po përhapet shumë shpejt”.
“Ne shikojmë shumë mundësi për të përmirësuar marketingun tonë përmes inteligjencës artificiale më të avancuar, duke përmirësuar organizmin e biznesit dhe aftësitë tona,” shtoi Quincy.
Coca-Cola është kompania e parë që i bashkohet bashkëpunimit midis Bain dhe OpenAI. Dhe pse detajet e këtij partneriteti nuk janë bërë ende të ditura, besohet se qëllimi kryesor i bashkëpunimit do të jetë marketing, shitjet si dhe implementimi i teknologjisë në burimet njerëzore.
Kjo nuk është hera e parë që Coca-Cola përfshihet në tregun e inteligjencës artificiale. Në vitin 2017, kompania tregoi se do të niste të përdorte makineritë shitëse të fuqizuara nga AI si pjesë e strategjisë së re të biznesit me në fokus inteligjencën artificiale, që përdor algoritmet për të parashikuar se cilat shije do të jenë më të shiturat si dhe parashikime të tjera.
Burimi: Geek Room