Kriza ekonomike e radhës
Ekonomia botërore do të përballet së shpejti me të njëjtën krizë si ajo që përjetoi në vitin 1970. Edhe sot kemi një ekonomi shumë të ngarkuar. Në treg është hedhur para më se e mjaftueshme, çmimet e prodhimit dhe të logjistikës kanë tejkaluar çdo parashikim, inflacioni dhe çmimet e konsumit po rriten për të përballuar kostot e prodhimit e të logjistikës dhe ekonomia nuk po gjen asnjë rrugë te re zhvillimi.
Kjo do të shkaktojë atë që quhet “stagflacion” (nxehja e ekonomisë). Sistemi kapitalist ka dhënë rezultate pozitive si rritja e mirëqenies, shkollimi, shërbimi mjekësor apo inovacioni, por në kapitalizmin e sotëm ka diçka që nuk shkon…
Si ka mundësi që në krizën më të madhe që njeh njerëzimi, bursat janë vetëm në rritje?! Bankat sot duket sikur po e romantizojnë situatën në të cilën ndodhemi. Deri dje, kishim flluska ekonomike që në një moment të caktuar do të plasnin, sot jemi brenda një flluske të cilën Bankat Qendrore e duan dhe e mbështesin vetë. Duket se nuk kemi më treg të lirë, por një treg të kontrolluar plotësisht nga qeveritë, bankat dhe të dominuar nga kompanitë e mëdha.
Ekonomia e tregut të lirë do t’i përkasë historisë.
Problematikat e sotme botërore, duke përmendur në veçanti problematikat ekologjike, mund të zgjidhen vetëm me një “formë të re kapitalizmi”, por absolutisht jo me një “formë të re socializmi”. Me atë që po ndodh në parlamentet europiane duket se jemi pak vonë. Ndoshta na duhet të rihapim librat e ekonomistit Adam Smith dhe të rifreskojmë njohuritë se si është ndërtuar sistemi ynë ekonomik. Duhet te qëndrojmë larg teorive konspirative si “Modern Menetory Theory” i Stephanie Kelton që shikon vetëm ëndrra ekonomike pa asnjë bazë. Me siguri kjo “ekonomiste” do jetë shkëputur nga realiteti dhe i pëlqen bota virtuale. Sipas saj qeveritë mund të printojnë pa limit para për të përballuar krizat.
Realiteti është ndryshe dhe faktorët kryesore që do të ndikojnë në riformatimin e ekonomisë botërore pas pandemisë janë:
- Vaksinimi i plotë i popullsisë dhe efikasiteti i vaksinave.
- Politikat fiskale të qeverive, stabilizimi i inflacionit në rreth 2% dhe eleminimi i “stagflacionit”.
- Rrugëzgjidhja që do të marrin tensionet politike me Kinën, Iranin, Rusinë, Afganistanin etj.
- Çfarë do të ndodhë me deglobalizimin, proteksionizmin, fragmentizmin e ekonomisë në kontinente apo rajone?
Më e keqja kaloi
Vitin që kaloi bota u përball me pandeminë dhe sipas parashikimeve do të ishte një udhë e gjatë dhe shumë e vështirë. Është akoma shpejt për të brohoritur për fitore, por në disa vende të globit duket sikur virusi është nën kontroll. Në këto momente ndodhemi në periudhën e tranzicionit për një “Normalitet të ri”. Vaksinat po japin efektin e tyre, por situata është akoma e pasigurt. Në fakt kontrasti me vitin që shkoi është i paimagjinueshëm, kur për një moment të vetëm ekonomia u paralizua, udhëtimet u ndaluan plotësisht, aktivitetet jashtë shtëpive nuk mund të imagjinoheshin me dhe vaksina nuk ekzistonte. Shumica e punonjësve u detyruan të punojnë nga shtëpia dhe qytetet dhe zyrat u boshatisën dhe u kthyen në hapësira pa jetë.
Po le të imagjinojmë për një çast sikur ta kemi kaluar pandeminë, por çfarë do të ndodhë më pas?
A duam të kthehemi mbrapsht në kohën para pandemisë, çfarë do të ruajmë nga e kaluara, çfarë duhet të lemë pas dhe të mos e kujtojmë kurrë, apo çfarë do të ndryshojmë në të ardhmen? Mos vallë COVID-19 ishte një eksperiment për të sjellë ndryshimet?! Ajo çfarë ka ndryshuar si rezultat i pandemisë mund të përmblidhet në 3 elementë:
– Marrëdhëniet midis individëve në jetën normale, marrëdhëniet midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, marrëdhëniet e qeverive me administratën dhe shërbimin mjekësor
– Marrëdhëniet me paranë dhe format e financimeve. Sot blerjet dhe pagesat online po eleminojnë “cashin” dhe kanë ndryshuar jetën sociale.
– Lëvizjet logjistike të produkteve si rezultat i blerjeve online si dhe lëvizjet e individëve si rezultat i barrierave të ndryshme.
Pasiguria dhe mosbesimi janë dy elementët që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë sot më tepër se kurrë në ekonomi. E vetmja rrugëzgjidhje për qeveritë është transparenca e rrugës që do të ndjekin në të ardhmen.
Cili do të jetë plani makro ekonomik i vendit, cilët kanë qenë kriteret për këtë plan dhe çfarë modelesh do të përdoren për realizimin e këtij plani?! Pjesë e rëndësishme e këtij plani janë statistikat e grumbulluara dhe të përdorura për përpilimin e tij. Vetëm atëherë mund të flasim për një shtet të menaxhueshëm, përndryshe do të jetë njësoj sikur të kërkosh rrugën në pyjet e Vermoshit me hartën e rrugëve të Tiranës.
Megjithëse jemi akoma në mesin e krizës ekonomike mund të dalim në përfundimin se qeveria Rama ka reaguar me shpejtësi dhe në një formë apo në një tjetër e ka menaxhuar situatën. Me një mentalitet lufte, ka qenë në gjendje të ndërtojnë struktura efikase të menaxhimit, të ndërtojnë skenare të ndryshëm për të përballuar nga njëra anë efektet e pandemisë mbi shëndetin e popullsisë dhe nga ana tjetër përthithjen në njëfarë mase të goditjes ekonomike. Me siguri që në shtator do të kemi një kabinet me një skuadër të re me perspektivë për të ardhmen ekonomike të vendit. Shumëllojshmëria në mendime sjell mundësi dhe hapësira të reja. Duhet të guxosh te thuash: prit pak e mendohu nëse ky plan është i mirë menduar dhe nëse ky version tjetër është më i realizueshëm. Janë pikërisht ata që guxojnë të mendojnë ndryshe e të flasin, ata që të hapin dritaret e perspektivës.