Njihuni me Jana dhe Matthias, dyshja prapa emrit GuideVenturous, një çift që ka lënë pas karrierën e suksesshme për të ndjekur pasionin e tyre për të udhëtuar nëpër botë.
Jana, nga Çekia, dhe Matthias, suedez i lindur në Gjermani, janë një dyshe njëkohësisht modeste dhe ambicioze. Çifti i eksploratorëve i ka vënë vetes qëllimin për të arritur diçka që asnjë burrë apo grua nuk ka bërë der më sot: të bëhen njerëzit e parë në botë që vizitojnë të gjitha vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Duket e pabesueshme por, nëse keni rastin të ndiqni progresin e tyre në Instagram @guideventurous do të shihni se tashmë kanë parë plot 128 nga 1121 destinacionet e UNESCO-s në të gjithë globin.
Mbi Jana dhe Matthias.
Aktualisht, jetojnë në Barcelonë, Spanjë por çifti e ndan vitin e tyre midis të qenit guida profesioniste dhe udhëtimeve drejt vendeve të trashëgimisë kulturore të botës. Ky mision i veçantë i ka çuar në vende nga me të largëtat dhe ekzotiket si India, Meksika, Laplandi i Suedisë, Zanzibari, Tenerifet, Filipinet, Maroku, Islanda, Kepi i Gjelbër dhe Sri Lanka, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Një lundrim i thjeshtë në Instagramin e çiftit të dërgon në të gjithë globin brenda pak minutash, gjë që sqaron edhe emrin e tyre, GuideVenturous. Pra, kombinimit të udhërrëfimit dhe aventurës. Për këtë arsye, fakti që ata e pëlqyen jashtë mase Shqipërinë është një kompliment i madh!
“U ndjemë tepër të sigurt dhe të mirëpritur, vendi është i bukur, njerëzit kaq të sjellshëm dhe bujarë, vendasit na dhuruan limonë nga pemët e tyre, ushqimi ishte aq i shijshëm. Gjithmonë përpiqemi të mësojmë disa shprehje apo fjalë në gjuhën e vendit ku qëndrojmë e po kështu edhe me shqipen, ndonëse kjo e fundit nuk ishte aspak e lehtë.”
“Shqipëria: Një përzierje e më të mirës së Greqisë dhe Kroacisë”
Për fat, misioni i jashtëzakonshëm i çiftit i solli ata në Shqipëri. Matthias pëlqeu veçanërisht Beratin, vendndodhjen e tij buzë lumit të Osumit, “rrugicat e tij me kalldrëm në lagjen historike të qytetit dhe kështjellën në majë të malit me pamje nga çfarë dukej si gjysma e Shqipërisë.” Jana preferon fshatrat e vegjël ku “koha ka ndaluar” kështu që, për të, fshati Lin buzë Liqenit të Ohrit ishte perfekt. Po ashtu edhe Saranda, qyteti ku çifti jetoi gjatë vizitës së tyre në Shqipëri, me klimën e përsosur dhe vendndodhjen e saj strategjike. Çifti theksoi se ata u kënaqën në veçanti edhe me pamjet e mahnitshme mes maleve gjatë rrugës SH75, nga Korçë për në Këlcyrë, si edhe me panoramat e njohura të Qafës së Llogarasë.
Shqipëria ju la përshtypje të mira si një vend aspak “turistik” dhe shumë mikpritës. U dashuruan me natyrën dhe diversitetin e saj, çmimet e arsyeshme si edhe vendasit, të cilët i pritën në shtëpitë e tyre me “krahë të hapur dhe raki.” Ushqimi ka qenë diçka tjetër që u ka lënë shumë mbresa, veçanërisht djathi i skuqur, pastat e mëngjesit të Bujtinës Vila Verd si edhe qoftet me ajkë kosi në tavë.
“Jetojmë për të udhëtuar, për të eksploruar, për të përjetuar dhe për të mësuar”
Çifti po e shijon stilin e tyre të ri të jetesës aq shumë sa që kanë dëshirë të frymëzojnë edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Ndiqini ata në Instagram @guideventurous apo në faqen e tyre zyrtare GuideVenturous.com si edhe në Facebook. Mund të rezervoni një tur me ta në Barcelonë ose thjesht të frymëzoheni me ide për udhëtimet tuaja në botë.
Fotot më poshtë nga GuideVenturous.
Të gjitha fotografitë © GuideVenturous.
Burimi: Into Albania