Depozitat kanë përshpejtuar ritmet e rritjes në muajin qershor, të udhëhequra nga shtimi i fortë i kursimeve në valutë, pas një ngadalësimi që kishin shënuar në muajt e parë të vitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit qershor arriti një tjetër rekord të ri, prej 1.15 trilionë lekë, ose 9.2 miliardë euro. Në krahasim me muajin e mëparshëm, rritja është 11.5 miliardë lekë (-0.01%), më e lartë që nga muaji dhjetor.
Që nga fillimi i pandemisë, depozitat kanë shënuar rritje të lartë. Por ndryshe nga 2020-a, kur kjo tendencë u udhëhoq nga monedha vendase, këtë vit, rritjen më të lartë po e shënojnë kursimet në valutë. Këto të fundit ndikuan në 71% të rritjes mujore të kursimeve në qershor.
Ekspertët e bankave pohojnë se ka pasur një rritje të kursimeve në euro përtej pritshmërive. Ata e shpjegojnë këtë tendencë me hapjen nga COVID dhe rikthimin e lëvizjeve, ndryshe nga viti i kaluar kur depozitat në valutë kishin një zgjerim të ulët.
Rritja e depozitave në valutë ishte +8.1 miliardë lekë në qershor, më e larta që nga muaji dhjetor, periudhë kur tradicionalisht ka një shtim të kursimeve në euro për shkak të sezonalitetit të emigrantëve. Rritja e interesave për depozitat në valutë, sipas bankierëve, është një tjetër arsye që po tërheq kursimet e emigrantëve.
Ndikim në shtimin e depozitave në valutë kanë dhënë dhe bizneset, që kanë ndikuar në gjysmën e rritjes në muajin qershor. Bankierët thonë se përmirësimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja e punëve publike nga shteti ka ndikuar në shtimin e likuiditeteve të bizneset.
Në fund të muajit qershor, pesha e depozitave në valutë ishte 53.9%, nga 53.4% në dhjetor.
Me bazë vjetore (qershor 2021/qershor 2020), depozitat në total janë rritur me 8.6%, ose me 90.6 miliardë lekë (rreth 730 milionë euro).
Burimi: Banka e Shqipërisë / Monitori.al