Anëtari i kryesisë së Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Drejtor i përgjithshëm i Grupit “Rumming.net”, Panajot Rumi, realizoi këtë fundjavë një takim miqësor me z. Arian Gusho, Kryetar i Lidhjes së Bizneseve Greko-Shqiptare të Greqisë së Veriut, si dhe drejtor i kompanisë së suksesshme “IsoProf”.
Gjatë takimit z. Rumi e njohu kreun e Lidhjes së Bizneseve Greko-Shqiptare të Greqisë së Veriut me veprimtarinë e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, aktivitetet e saj, projektet dhe bizneset e anëtarësuara në këto dy vite të ekzistencës së saj.
Ndërsa Gusho u ndal te veprimtaria e bizneseve shqiptare në Greqi dhe te takimi vjetor i biznesmenëve greko-shqiptar, i cili zhvillohet në Selanik, një aktivitet që ka për qëllim promovimin e iniciativave të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të konsoliduar zhvillimin e marrëdhënieve të bizneseve dhe sipërmarrjeve shqiptare në Greqi dhe ato greke në Shqipëri.
Gjithashtu u diskutua për bashkëpunim në të ardhmen midis palëve për realizmin e projekteve të ndryshme, përfshirë edhe akte konkrete që duhet të ndërmerren për të mbështetur biznesin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Burimi: Diaspora Shqiptare