Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me përfaqësuesin e saj në Spanjë, z.Eduard Hyseni, kanë hapur Zyrën e Konsulencës për Turizmin në Palma de Mallorca. Në pozicionin e këshilltarit është emëruar z.José Yudici, me eksperiencë disavjeçare në industrinë e turizmit.
Përveç promovimit të vizitave të qytetarëve spanjollë në Shqipëri, kjo zyrë, e cila është hapur brenda muajit mars, synon të krijojë më shumë bashkëveprim me kompanitë turistike dhe hoteliere në Spanjë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përmes angazhimit dhe misionit të saj, ka arritur që përmes kësaj zyre të vulosë objektivin për të sjellë sa më shumë kompani spanjolle “tour-operator” të turizmit në Shqipëri.
Hapja e Zyrës së Konsulencës për Turizmin ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle.
“Diario de Mallorca” dhe “Hosteltur” i kanë kushtuar një artikull përpjekjeve të Shqipërisë për të zhvilluar sektorin e turizmit dhe rëndësisë që ka krijimi i kësaj zyre në përftimin e investitorëve spanjollë.
Së shpejti, është planifikuar që të bëhet një vizitë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, me qëllim për të forcuar bashkëpunimin. Gjithashtu, është parashikuar të realizohet edhe një mision biznesi në Shqipëri me drejtues të lartë të kompanive hoteliere.