Sipërmarrja e Diasporës mund të luajë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e tregtisë dhe Investimeve ndërmjet vendit të origjinës dhe vendeve ku ata jetojnë. Remitancat, migrimi qarkullues dhe ekspertiza e Diasporës janë pjesë integrale e mekanizmave që mund të shërbejnë për të rritur kontributin e Diasporës në zhvillimin ekonomik. Ekonomiksi i ri i Migrimit tashmë ballafaqohet me praktika të reja të investimeve të huaja. Shumë nga investitorët e sotëm nuk bazohen thjesht tek përfitimi ekonomik por edhe në faktorë të tjerë si kulturorë apo kombëtarë për të marrë vendimet e tyre. Në këtë kuadër Investimet Direkte të Diasporës mund të shërbejnë si urë lidhëse me Investimet e Huaja Direkte dhe Investitorë të huaj.
Por çfarë mund të bëhet në drejtim të përmirësimit të aftësive konkurruese?
Përsa i përket konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, ato mbeten ende në produkte me vlerë të ulët të shtuar, në prodhimin e të cilave përdoret ende intensivisht krahu i lirë i punës. Shporta e eksportit karakterizohet nga nivel i lartë përqëndrimi dhe hapja tregtare është ende e ulët në krahasim me rajonin. Që produktet shqiptare të konkurojnë me standartin ndërkombëtar, kërkohet një frymë e re e menaxhimit të strategjive tek biznesi shqiptar, futje e teknologjisë së re, rritje e cilësisë së produktit, administrim më i mirë i riskut të biznesit dhe riskut financiar, orientim më i mirë diaspora shqiptare drejt perspektivave të tregjeve globale dhe kërkesave për zhvillimin e vendit. Në këtë drejtim, kontributi dhe potenciali i Diasporës do të ishte i nevojshëm dhe i vlefshëm. Për më tepër prania e investitorëve dhe sipërmarrësve të Diasporës si dhe aksesi më i mirë që ata zotë- rojnë ndaj informacionit mund të ndikojë pozitivisht edhe në ndër- kombëtarizimin e bizneseve shqiptare.
Implikimi i sipërmarrjes së Diasporës në tregti dhe veçanërisht në eksport është ende në nivelet paraprake të vlerësimit. Të dhëna në nivel mikroekonomik të ndërrmarrjeve me kapital nga Diaspora që operojnë në Shqipëri do të kishin një rëndësi të veçantë në vlerësimin e peshës, kontributit, produktivitetit dhe shtrirjes gjeografike në eksport të tyre dhe krahasimin me firmat e tjera me kapital vendas apo të huaj.
Në kushtet e një globalizimi intensiv dhe për më tepërr kriza shkaktuar nga COVID-19 shtoi akoma më tepër rëndësinë unike të komunikimit digjital për mirëfunksionimin e bizneseve dhe sipër- marrjes. Përveç stimulimit të zinxhirit të prodhimit të produkteve “Made in Albania” po aq i rëndësishëm mbetet edhe stimulimi i zinxhirit të marketimit dhe shitjes, si dhe ngritja e infrastrukturës për zhvillimin e tij, veçanërisht në formatin digjital, si një mjet efikas në kohë, cilësi dhe kosto. Angazhimi dhe rrjetëzimi i Bizneseve të Diasporës Shqiptare nëpërmjet mekanizmave digjitalë do të krijonte më shumë produkte shqiptare të tregtueshme, mundësi eksporti për firmat e vogla dhe të mesme duke i lejuar ato të veprojnë përtej tregjeve të brendshme, një rrjet të qëndrueshëm shitjesh dhe do të nxiste promovimin e shportës unike me produkte Made in Albania. Në të tilla kushte, njohja e traditave dhe nuancave kulturore dhe patriotike mbetet thelbësore. Rjeti i Sipërmarrjes së Diasporës mund të shërbejnë dhe veprojnë si nyje përmes të cilës informacioni dhe përdorimi i produktit përhapet në rajone të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë komunitetet shqiptare, duke ndihmuar edhe bizneset të arrijnë efektivitetin në kosto.
Materiali I marrë: Diaspora Shqiptare