Nis puna për digjitalizimin e mbi 400 objekteve të sekuestruara të vlerësuara si pasuri kulturore .
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale, ndau foto nga objektet që do të digjitalizohen.
Laboratori, krahas digjitalizimit të objekteve trashëgimi kulturore të sekuestruara gjatë operacioneve të përbashkëta me policinë e shtetit, do të shërbejë edhe për digjitalizimin e objekteve që do t’i nënshtrohen restaurimit, e që sot gjenden në muze dhe site arkeologjike.
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ditën e djeshme u shpreh , “Implementimi i teknologjisë së avancuar, të metodave RTI dhe 3D, në Njësinë Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore, projekt i mbështetur nga AADF “Të fuqizojmë muzetë përmes teknologjisë”, ofron mundësinë jo vetëm për një dokumentim më të mirë të objekteve, por ndihmon në identifikimin e thelluar të elementeve, detajeve të fshehura apo prejardhjen e tyre duke ruajtur identitetin digjital të trashëgimisë së vyer kulturore”.