Thirrje për të gjithë investitorët dhe entuziastët e teknologjisë! Bëhu Pjesë e Parkut Teknologjik DURANA të Shqipërisë! Ky është apeli i ministrit të ekonomisë, kulturës dhe inovacionit Blendi Gonxhja për tu bërë pjesë e kësaj nisme.
“Në një kohë rekord, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, finalizoi një proces që kërkonte guxim e që pritej prej vitesh, duke plotësuar dokumentacionin dhe propozuar për Këshillin e Ministrave vendimin historik për të bërë realitet parkun e parë teknologjik dhe shkencor shqiptar! Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), në rolin e zhvilluesit publik të “DURANA Tech Park”, me status ekskluziv regjimi fiskal dhe me OneStopShop administrativ lehtësues, do të nisë procedurën konkurruese për të zgjedhur Menaxherin dhe Përdoruesit e Parkut” shkruan në facebook ministri.
DURANA Tech Park ofron avantazhe nxitëse, financiare dhe administrative, për kompanitë e IT dhe nomadët digjitalë. Ky oaz risi, vendoset strategjikisht mes qytetit të Tiranës dhe Durrësit, në një sipërfaqe fillestare prej 140,400 metër katrorë në zonën e Xhafzotajt.
Kjo qendër, që do të vijojë të zgjerohet në sipërfaqe, do të revolucionarizojë peisazhin e skenën teknologjike, duke ofruar një sërë mundësish nga dizajni i softuerit deri te hulumtimi i robotikës. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare, nuk kemi të bëjmë vetëm me një park apo hapësirë fizike, por me një portë për mundësi të pafundme.
Mbështetur nga RISIAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, zbatuar nga Helvetas.