Një nga festivalet më me ndikim, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Gjenevë FIFOG që do të zhvillohet nga data 10-16 qershor përfshin në programin e tij edhe dy filma shqiptarë.
Këtë vit shqiptarët prezantohen me filmin “Ninullë” me regjisor Adrian Asllani dhe “Heshtja e sirenave” me regjisor Gazmend Nela. Kjo në funksion të një marrevëshje që është arritur katër vitë më parë me festivalin që në çdo edicion të jetë edhe një film shqiptar.
Një nga anëtarët e komunitetit të këtij festivali Ramë Dardania thotë për Probizz.al se ndihet krenar pasi po vihet re një rritje e interesimit të artistëve shqiptarë për të marrë pjesë në FIFOG.
Filmi i parë shqiptar që u shfaq në vitin 2020 në Gjenevë ishte “Cirku Fluturues” , me regji të Fatos Berishës, më pas “Bolero në vilën e Pleqve”, “I treturi” dhe “Dita e kuqe”.
Artisti Ramë Dardania zbulon se do ti bashkohet dy piktorëve me emër për të sjellë një ekspozitë në këtë aktivitet të madh artistik. Ai kujton se edhe vitin e kaluar hapi një ekspozitë në kuadër të festivalit , me temën “ Të zhdukurit e luftës në Kosovë” .
Piktori Dardania shprehet optimist se këto bashkëpunime do të sjellin fryte të tjera të suksesshme në të ardhmen. Më tej ai falenderon komunitetin shqiptar në Zvicër si dhe festivalin FIFOG për mundësinë e dhënë për të promovuar kinematografinë shqiptare.
Përveç risive Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Gjenevë i qëndron besnik qëllimit të tij për të ekspozuar regjisorë dhe artistë të rinj në arenën ndërkombëtare.