Frida Krifca bën bilancin e dy vjeçarit në krye të Ministrisë së Bujqësisë.
Në një postim në rrjetet sociale ajo shkruan “Këto dy vjet kam pasur privilegjin e jashtëzakonshëm që të shërbej si Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, një sektor që ndër vite mësova ta dua e t’i shërbej me guxim, vendosmëri, por më së shumti me zemër. Është një privilegj për të cilin do të jem gjithë jetën mirënjohëse ndaj Kryeministrit Rama, Partisë Socialiste dhe qytetarëve që na dhanë besimin e tyre”.
Krifca e nis me rezultatet e eksporteve të cilat sipas saj tejkaluan çdo parashikim të mundshëm.
“Rritja e ndjeshme e eksporteve me mbi 200 milionë euro në dy vjet, tejkalimi i pritshëm i 600 milionë eurove eksporte në 2023 dhe produktet tona që sot furnizojnë mbi 80 vende në botë janë kartvizita e bukur e transformimit epokal që ka ndodhur dhe po ndodh në bujqësinë shqiptare”.
Ajo u ndal edhe tek ngritja e tregjeve për të plotësuar nevojat e fermerëve.
“Kemi rritur aksesin në treg për fermerët përmes ngritjes së dhjetra tregjeve bujqësore në partneritet me bashkitë. Të tilla tregje, të cilët kanë plotësuar nevojat e fermerëve për të tregtuar prodhimet, ulur kostot, nxitur më tej konkurrencën dhe përfitimet për qytetarin. Ndërkohë, rrisim sigurinë financiare përmes projektligjit të ri që nxjerrim në konsultim publik për përdorimin e stokut të magazinuar dhe dëftesave tregtare si kolateral për bankat duke adresuar një nevojë të kahershme të zinxhirit të vlerës”.
Në fund ministrja në largim përmend edhe objektivin për vitin 2030.
Objektivi i 1 miliardë euro eksporte bujqësore brenda 2030 është objektivi madhor i kësaj qeverie, një objektiv që sot jemi shumë më pranë nga sa ishim dje, e që kam bindjen e plotë, nën manaxhimin e ri, nesër do të jemi më pranë nga sa jemi sot .
Burimi: Ministria e Bujqësisë