GUVERNATORI SEJKO TAKIM ME AMBASADORIN E ITALISË NË SHQIPËRI
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. FabrizioBucci, në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Bisedat u përqendruan kryesisht në ecurinë e ekonomisë dhe sistemit bankar shqiptar, promovimin e potencialeve të Shqipërisë, në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, si dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Shkëlqesinë e tij Ambasadorin Bucci me zhvillimet financiare në vend, ku u shpreh se sistemi bankar shqiptar është likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti. Edhe treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar paraqiten në përmirësim, ku mund të veçohet raporti i kredive me probleme, i cili zbriti në nivelin historik prej 8.4% në muajin dhjetor 2019.
Duke u ndalur tek ecuria ekonomike e vendit, Guvernatori Sejko theksoi se ritmi i rritjes ka vijuar të jetë pozitiv, punësimi është rritur, ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit janë forcuar. Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.
Në vijim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet një institucion plotësisht i angazhuar me përafrimin e kuadrit të saj ligjor, rregullator dhe operacional, me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, si dhe në përmbushjen e prioriteteve që do të rrjedhin nga hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian.
Nga ana e tij, Ambasadori i Italisë vlerësoi Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet kryesore në vend. Ai theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta të Bankës së Shqipërisë me Bankën e Italisë dhe me Bankën Qendrore Evropiane, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale si dhe kontributin në përafrimin e standardeve evropiane dhe përshpejtimin e procesit të integrimit.