Ekonomitë e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë janë rritur duke tejkaluar nivelet e tyre para pandemisë, pavarësisht pasojave nga pushtimi rus i Ukrainës, rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, kushteve të pafavorshme të motit, shtrëngimit të kushteve financiare dhe pasigurisë së konsiderueshme, thuhet në edicionin e fundit të Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.
Perspektiva për Ballkanin Perëndimor mbetet e zbehtë, me rritjen e PBB-së që pritet të ngadalësohet në 2.6 për qind në vitin 2023, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, eksportet dhe, për disa vendet, nga investimet publike, thuhet në raport.
Rajoni tani përballet me sfidat e rindërtimit të instrumentave amortizues për t’u përgatitur në përballimin e goditjeve të ardhshme dhe me kryerjen e reformave për të hedhur themelet për një rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër, thuhet në raport.
“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të forta ekonomike”, tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Për të vazhduar përballimin e tronditjeve të shkaktuara nga goditjet e shumëfishta ekonomike, vendet mund të përfitojnë shumë duke vijuar zbatimin e reformave që nxisin produktivitetin në periudhë afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe lehtësimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrjen, veçanërisht të grave, në forcën e punës.”
Inflacioni në Ballkanin Perëndimor u rrit ndjeshëm në vitin 2022 duke arritur në nivelin më të lartë të dy dekadave të fundit, dhe presionet në kahun e rritjes së çmimeve vijojnë të jenë të larta edhe në fillim të vitit 2023, thuhet në raport. Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, inflacioni i çmimeve të konsumit arriti nivelin më të lartë nga fundi i vitit 2022, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndersa tani po shfaq shenja të uljes, ku faktorët e jashtëm nxitës po zbehen për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomisë botërore. Megjithatë, presionet inflacioniste mbeten të larta duke bërë të nevojshme shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare.
Kjo rritje e çmimeve ka prekur veçanërisht rëndë familjet me të ardhura të ulëta, dhe e shoqëruar me një rritje më të dobët ekonomike, rezultoi në një ritëm shumë më të ngadaltë të uljes së varfërisë, pavarësisht disa përfitimeve të mundësuara nga programet mbështetëse të qeverive për të zbutur efektet e krizës energjetike. Sipas raportit, faktorët e mundshëm me efekt kufizues në periudhat në vijim përfshijnë uljen e kërkesës së jashtme, e cila mund të ndikojë negativisht në të ardhurat nga eksportet dhe të reduktojë remitancat, dhe ngushtimin e hapësirës fiskale, e cila vazhdon të kufizojë mbështetjen që mund t’u ofrohet familjeve.
“Familjet më të varfra shpenzojnë një përqindje shumë më të lartë të të ardhurave të tyre për energji dhe ushqime, dy artikujt e shportës së konsumit me rritjen më të lartë të çmimeve,” tha Sanja Madzarevic-Sujster, Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit.
“Kjo do të thotë se rritjet në koston reale të jetesës me të cilat përballen njerëzit e varfër në Ballkanin Perëndimor janë shumë më të larta sesa sugjerojnë shifrat zyrtare të inflacionit të çmimeve të konsumit. Për të hartuar politika efektive për të mbrojtur njerëzit më të varfër dhe për të nxitur rritjen ekonomike, është e rëndësishme të merren parasysh normat e ndryshme të inflacionit me të cilat përballen kategori të ndryshme të familjeve.”
Pavarësisht rritjes së punësimit, ritmi i krijimit të vendeve të reja të punës u ngadalësua në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në gjysmën e dytë të vitit 2022, thuhet në raport. Punësimi u tkurr më së shumti në sektorin e bujqësisë dhe në administratën publike, ndërkohë që në sektorin e industrisë dhe atë të shërbimeve u vu re gjithashtu një ngadalësim i rritjes së punësimit. Shkalla e punësimit arriti një rekord të lartë historik prej 47 përqind në shtator 2022, ndërsa më pas filloi të bjerë.
Perspektiva afatmesme për Ballkanin Perëndimor mbetet pozitive, megjithëse është e nevojshme kryerja e refomave për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe për të adresuar sfidat kryesore strukturore.
“Vazhdimi i krizës energjetike ka nxjerrë në pah nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në të gjithë Evropën, përfshirë Ballkanin Perëndimor”, tha Richard Record, Kryeekonomist në Bankën Botërore dhe një nga autorët e raportit.
“Një pikënisje kyçe e këtij tranzicioni është përshpejtimi i lëvizjes drejt politikës së çmimit të karbonit dhe rritja e përdorimit të masave fiskale mjedisore që nxisin familjet dhe firmat të zhvendosen drejt alternativave me emetime më të ulëta të karbonit.“
Raporti shton se një fushë investimi me potencial për përfitime të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është ajo në efiçencën e energjisë. Madje edhe përmirësimet në nivele të moderuara në efiçencën energjetike të firmave do të sillnin reduktime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, do të rrisnin fitimet e firmave, do të krijonin përfitime të mëdha sociale dhe do të ndihmonin në mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhme në çmimet e energjisë elektrike dhe gazit.