Edhe gjatë muajit qershor të këtij vitit eskportet bujqësorë kanë njohur rritje. Në një postim në rrjetet sociale ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj bëri me dije se ato shënuan rritje në 60 531 ton, kundrejt 49 397 ton që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Eksportet bujqësore vijojnë trendin rritës edhe gjatë muajit qershor, me një rritje prej 23% krahasuar me një vit më parë”, tha Denaj.
Klima e favorshme, afërsia me tregjet evropiane, mundësia për mbulimin e tregjeve rajonale me potenciale të pashfrytëzuara, si dhe fuqia punëtore me kosto të ulët, e bëjnë Shqipërinë një vend me potencial premtues në disa sektorë, por veçanërisht në bujqësi.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk të konservuar etj.