Në mbledhjen e fundit, qeveria ka shtyrë gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji deri në 31 dhjetor të këtij viti.
Emergjenca në sektorin e energjisë u shpall nga kryeministri Rama më 8 tetor 2021, me qëllim që ti përgjigjej rritjes tronditëse të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në një dalje për mediat atë ditë Rama theksoi se synimi i qeverisë është të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë lart, nga ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart, përmes biznesit të vogël dhe më tej atij të madh. E parashukuar fillimisht të zgjaste deri në prill 2022, gjendja e emergjencës në furnizimin me energji u shty më pas deri në 30 qershor të këtij viti dhe tani deri në 31 dhjetor 2023.
Prej disa muajsh është vendosur detyrimi i shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, që është një nga kompanitë e OSHEE Group. Kështu, gjatë periudhës së emergjencës, prodhuesit me përparësi janë të detyruar t’ia shesin “Furnizuesit të tregut të lirë”, energjinë elektrike, sipas çmimit të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë.
Deri më 31 dhjetor të këtij viti investimet e kompanive publike të energjisë do të mbeten të pezulluar, përveç atyre që konsiderohen si të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
Muaji korrik që u karakterizua nga temperatura tejet të larta dhe thatësira, ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare që të blejë dy herë energji. Fillimisht, vetëm për javën e fundit të korrikut u blenë 51.7 mijë megavat energji me një kosto prej 5,3 milionë euro. Ndërsa, rreth 8,1 milionë euro i kushtoi KESH-it, 74.4 mijë megavat energji për muajin gusht. Por, ekziston mundësia për blerje të tjera javore nëse moti vijon pa reshje.
Burimi: Scan tv