Dërgesat e emigrantëve kanë shënuar rekord të ri absolut gjatë vitit të kaluar, prej gati 930 milionë eurosh, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Shifra është edhe më e lartë se viti 2022 dhe viti 2008, kur regjistrohej rekordi i mëparshëm. Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të vitit të kaluar.
Në total, emigrantët kanë dërguar të paktën 94 milionë euro më shumë se viti pararendës, ai 2022. Bëhet fjalë për rreth 11.3% më shumë dërgesa nga emigrantët gjatë vitit 2023. Nëse krahasimin e bëjmë me periudhën para krizës së çmimeve, shohim se emigrantët kanë sjellur në vend të paktën 167 milionë euro më shumë vitin që lamë pas.
Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i fundit i vitit të kaluar ka thyer po ashtu një rekord historik, me rreth 252 milionë euro dërgesa. Kjo shifër është edhe më e lartë se tremujori i dytë i vitit 2009, kur emigrantët dërgonin në Atdhe 240 milionë euro. Në tremujorin e 4-tët të vitit të kaluar, remitancat rezultojnë 4.3% më të larta se tremujori i njëjtë i vitit pararendës.
Nga këto shifra duket qartë se emigrantët kanë ndikuar mjaftueshëm për të zbutur krizën e çmimeve për familjet shqiptare, madje duke dërguar edhe më shumë para se gjatë pandemisë, kur shumë ekonomi familjare u prekën rëndë nga shpenzimet për shëndetësinë si pasojë e covid-19.
Ndër të tjera theksojmë se kjo shumë dërgesash rekord nga emigrantët gjatë vitit të kaluar ka ardhur pavarësisht faktit se kriza e çmimeve ka prekur thuajse çdo cep të globit, dhe sidomos vendet ku ka një përqëndrim të lartë të emigrantëve shqiptarë, si vendet e Bashkimit Europian, Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, shumë më shumë do të fitonin familjet shqiptare nga dërgesat e emigrantëve nëse monedha europiane do të paraqitet në nivele më të larta përgjatë vitit 2023. Edhe pse euro nuk është monedha bazë e vendit, nënçmimi i saj kundrejt lekut padyshim që ka impaktuar ekonominë shqiptare, po ashtu edhe familjet të cilat e sigurojnë jetesën nga dërgesat e emigrantëve apo ato të cilat i kanë kursimet në euro.
Marrë nga Scan