Pas dobësimit të monedhës europiane prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar ankandin e planifikuar të blerjes së valutës duke realizuar blerje në vlerën e 10 milionë euro.
Ky proces në raundin e parë u realizua në kohën kur kursi i këmbimit valutor i euros ishte në intervalin mes 106.4 dhe 106.62 lekëve. Ankandi i Shtatorit dëshmoi normalizimin e tregut valutor, ndërkohë që në ankandin e mëparshëm të muajit Gusht, Banka e Shqipërisë bleu vetëm 2.5 milionë Euro, pavarësisht parashikimit në intervalin mes 5 dhe 9 milionë eurove.
Për shkak të pikiatës së monedhës europiane gjatë verës, Banka e Shqipërisë vendosi në Gusht që të rrisë blerjet e planifikuara të Euros në tregun e brendshëm valutor në një interval mes 220 milionë euro dhe 300 milionë euro.
Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve 220-300 milionë Euro deri në fund të vitit. Sa i përket situatës së monedhës europiane në tregun valutor, në fillim të javës ajo blihet me 106 Lekë, ndërsa shitet me 106.6 Lekë.