Shoqatat e eksportit në një letër drejtuar institucioneve ndërkombëtare financiare si FMN, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (ERBD), Bankës Botërore, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bankës së Shqipërisë kërkojnë marrjen e masave, pasi efektet nga zhvlerësimi i euros do të ndihen ndër vite. Ata thonë se rënia e euros po ndikohet nga paratë kriminale në pasuritë e paluajtshme.
Më poshtë letra e eksportuesve drejtuar FMN, BB dhe Bankës Europiane.
Data 31.7.2023, Tiranë
Kërkesë për asistencë teknike
Lënda: Kërkohet asistencë për politikat monetare dhe fiskale që lehtësojnë goditjet nga kurset e
këmbimit
Drejtuar:Znj. Stephanie Eble
Resident Representative for Albania-IMF
Regional Resident Representative based in Vienna
Dëshmorët e Kombit Boulevard
Tëin Toëer 1, Suite 3-2
1001 Tirana, Albania
Nga: Zyra e Unifikuar e shoqatave të Eksportit
Të nderuar drejtues të institucioneve financiare,
Së pari, na lejoni të shprehim vlerësimet pozitive të komunitetit të Eksportuesve shqiptarë, për ndihmën tuaj që në hapat e parë të tranzicionit shqiptar.
E vlerësojmë shumë faktin që institucionet tuaja i konsiderojnë shoqatat e biznesit, si partnerë të dobishëm në zbatimin e reformave strukturore dhe sektoriale.
Komuniteti i eksporteve sot, përfaqëson mbi 5000 Kompani ekportuese, mbi 200 mijë të punësuar dhe ka një kontribut afro 23% në PBB.
Falë rritjes dhe konsolidimit të tyre, eksportuesit janë një nga shtyllat kryesore të rritjes së aftësisë konkuruese dhe përmirësimit të bilancit tregtar dhe bilancit të llogarisë korrente.
Jemi të vetëdijshëm se në kushtet e aplikimit të kursit të luhatshëm të këmbimit, do të prekemi nga goditje të jashtme. Kjo situatë është ndjerë më shumë vitet e fundit. Zhvlerësimi i monedhës euro është rreth 20% dhe rreth 13% me bazë vjetore.
Do ta vlerësonim pozitivisht, nëse forcimi i monedhës kombëtare do të vinte nga forcimi i ekonomisë sonë për shkak të rritjes së produktivitetit, rritjes së konkurencës, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga remitancat.
Por luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse.
Vlerësojmë se këto luhatje ndoshta do të ndjehen edhe më shumë në vitet në vijim, prandaj e kosniderojmë se do të ishte shumë e vlefshme për të bashkuar forcat me ekspertët tuaj, për nxitjen dhe lehtësimin e politikave të eksportit, ku përfshihen politikat fiskale, ato monetare, por edhe rëndësia e reduktimit te kostove dhe te ngarkesave fiskale.
Ne mbetemi me shpresën e plotë se institucioni juaj do të na ofrojë ekspertizën e kërkuar, e cila bazohet në faktin se ju keni eksperienca shumë të gjatë dhe nga gati të gjitha shtetet anëtare.
Urimet më të mira për ju,
Zyra e Unifikuar e shoqatave të Eksportit