Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) organizoi një takim në fillim të muajit për të prezantuar dhe diskutuar gjetjet kryesore gjatë konsultimeve me ministritë e linjës dhe agjencitë kryesore shqiptare në lidhje me koordinimin, mbledhjen, analizën dhe raportimin e të dhënave të dëmeve dhe humbjeve në bujqësi nga katastrafot. Pjesëmarrësit në këtë takim hibrid, kombinuar me praninë fizike dhe në internet, panë zgjidhjet e mundshme mbi çështjet e identifikuara dhe planifikuan hapat e mëtejshëm drejt institucionalizimit të metodologjisë së FAO-s në Shqipëri mbi dëmtimet nga fatkeqësitë dhe vlerësimin e humbjeve në sektor.
Përfaqësues të aktorëve kryesorë qeverisës, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Brendshme dhe Institutin e Statistikave morën pjesë në takim, së bashku me FAO dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si agjencia kryesore koordinuese mbi vlerësimin e humbjeve dhe dëmeve nga fatkeqësitë.
FAO-s iu kërkua të mundësojë trajnime lidhur me metodologjinë e vlerësimit të humbjeve dhe dëmeve nga katastrofat për partnerët kryesorë qeverisës. Për më tepër, përfaqësuesit e ministrive të linjës ranë dakord të testojnë metodologjinë në një zonë pilot për të institucionalizuar, dhe kështu të gjithë aktorët e interesuar do të përdorin metodologjinë zyrtare në mbledhjen, vlefshmërinë dhe raportimin e informacioneve mbi dëmet dhe humbjet në sektorin e bujqësisë.
Në deklaratën e tij, Agim Pepkolaj, koordinator i projektit të FAO, theksoi rëndësinë e mbledhjes së rregullt të të dhënave duke përdorur një metodologji të standardizuar për të vlerësuar dëmet dhe humbjet bujqësore me specifika në nënsektorët e saj duke përfshirë të lashtat, bagëtinë, pyjet, peshkimin dhe akuakulturën në të gjitha llojet e fatkeqësive përfshirë ngjarje të vogla dhe të lokalizuara. Aktualisht, ministritë dhe komuna të ndryshme shqiptare po përdorin metodologji të ndryshme vlerësimi duke rezultuar në të dhëna të pakrahasueshme, të cilat mund të çojnë në vlerësime jo të saktë ose të nënvlerësuara të ndikimit të një katastrofe. Kjo nga ana tjetër bëhet një pengesë për planifikimin adekuat dhe minimizimin e rreziqeve të katastrofave në bujqësi, si dhe lidhur me investimet e duhura në sektor.
Metodologjia e FAO mbi vlerësimin e dëmeve dhe humbjeve nga katastrofat ofron një mjet të standardizuar që është fleksibël për t’u zbatuar në vende të ndryshme në përballje të katastrofave. Zbatimi i kësaj metodologjie mbulon si nevojat e të dhënave për ndikimet e katastrofave dhe masat për politika të destinuara për strategjinë kombëtare të zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë, ashtu edhe për arritjen dhe raportimin mbi objektivat globale, përfshirë Kornizën Sendai për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. /ProBizz/