Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja priti në një takim përfaqësues të Fondit Rajonal të Sfidave dhe KfW, në vijim të Konferencës Rajonale të organizuar në Tiranë me temë “Realizing Opportunities: Building Human Capital in the Western Balkans 6 for Integration into the EU Single Market”. “Folëm mbi sfidat e përbashkëta të vendeve të rajonit në lidhje me mungesën e forcës punëtore dhe nevojën e zhvillimit të kapitalit njerëzor. Fondi Rajonal i Sfidave ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, duke financuar zhvillimin e kapaciteteve të ofruesve publikë dhe privatë të arsimit profesional shqiptar”, shkruan ministri Gonxhja në facebook .
Ky program është një instrument financimi i krijuar për të rritur punësueshmërinë, me fokus tek të rinjtë si dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Me iniciativën e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Punësimit, Aftësimit dhe Sigurimeve Shoqërore (MEKI – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit) dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, si dhe me përfaqësuesit e KfW dhe të Bashkëpunimit Zvicerian për Zhvillim, është krijuar “Dritare Unike” vetëm për Shqipërinë, me një vlerë prej 10 milion Euro.
Në thirrjen e tretë janë shpallur 10 konsorciume shqiptare fituese, nga të cilat 7 Institucione publike të arsimit dhe formimit profesionale të cilat përfitojnë fondin 5,390,834 Euro!
Nëpërmjet këtyre projekteve dhe financimeve, shkollat profesionale dhe qendrat publike të formimit profesional plotësojnë një pjesë të nevojave të tyre që janë të lidhura me infrastrukturën, pajisjet/laboratorët apo trajnimet e stafeve drejtuese dhe mësimdhënëse, duke hapur rrugën për zhvillim të arsimit dhe bashkëpunimit me sektorin privat e duke rritur mundësitë e punësimit sipas standardeve më të larta të kualifikimit!