Mbi këtë moto Shoqata Shqiptare e Bankave komunikoi fushatën për ndërgjegjësim të kartë mbajtësve që të përdorin kartat e tyre bankare për blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një fushatë informuese, edukuese dhe sensibilizuese, e orientuar drejt rritjes së ndërgjegjësimit publik mbi përfitimet e kryerjes së pagesave me kartë debiti dhe krediti, por edhe përfitimet për tregtarët dhe, si rrjedhojë për ekonominë e vendit. Fushat organizohet me mbështetjen e Mastercard.
Nën moton : “Ftillohu! Evito cash. Paguaj me kartë!” fushata do të jetë aktive gjatë dy muajve në vijim. Përmirësimi i përdorimit të kartave të kreditit dhe debitit si një instrument pagese është një kontribut i pazëvendësueshëm në luftën kundër informalitetit, lehtëson koston e parave në qarkullim, çon drejt një ekonomie pa para fizike, duke siguruar një paketë të kompletuar për shërbimet e ofruara për klientët dhe rrit sigurinë personale të individëve.Në këtë aktivitet, morën pjesë përfaqësues nga media audiovizivesi dhe përfaqësues të bankave anëtare.
Sekretari I Përgjithshëm të AAB-së Spiro Brumbulli tha se sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë qershor 2020, në Shqipëri janë gjithsej 1,188,249 karta të lëshuara, nga të cilat 1,075,500 janë karta debiti dhe 112,749 janë karta krediti. Për 1,000 persona në moshë të lejuar (adults) Shqipëria ka 483 karta të emetuara, ndërkohë që rajoni luhatet nga 2,449 për Kroacinë në 759 për Bosnjë Hercegovinën (të dhëna këto sipas FMN për vitin 2019).
“Edhe pse gjatë periudhës 2016-2019, në nivel vendi, rezulton një rritje vjetore konstante në numrin e transaksioneve të realizuara me karta në POS, mesatarisht 28%, dhe për volumet e gjeneruara – 21%, sërish, numri i transaksioneve për një kartë në POS, në Shqipëri, është 4 (Kosova) deri 10 (Maqedonia e Veriut) herë më i ulët se në vendet e rajonit.”- Tha Brumbulli.