Qeveria gjermane zyrtarizoi vendimin për rritjen e pagës minimale të garantuar me ligj me 82 cent, në 12.82 euro në orë. Pjesa e parë e rritjes, në 12.41 euro, hyn në fuqi në janar dhe e dyta në fillim të vitit 2025. Ministri gjerman i punës Hubertus Hajl, nënshkroi dekretin për pagën minimale sipas propozimit të qershorit të komisionit të përbashkët të punëdhënësve dhe të punësuarve për pagën minimale. Rritja totale korrespondon me një normë prej 6.8 %. Përfaqësuesit e punëtorëve në komision e refuzuan propozimin dhe kërkuan rritje më të madhe.
Me rritjen nuk janë të kënaqur as disa politikanë të koalicionit qeverisës të Partisë Socialdemokrate të kancelarit Olaf Sholc, të Gjelbërit dhe FDP-së liberale. Ata e konsideruan këtë rritje si një shaka të keqe duke shtuar se njerëzit që punojnë meritojnë më shumë.
Ndërkohë, Gjermania e gjen veten me një ‘gropë’ prej 60 miliardë euro në buxhetin e saj. Shkak është bërë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vendit, e cila i ndaloi qeverisë të transferojë 60 miliardë euro në fondin për kalimin në ekonominë e gjelbër nga fondet për përballimin e pasojave të pandemisë dhe recesionit.
Këto fonde nuk ishin më të nevojshme dhe kancelari gjerman mendoi se mund t’i përdorte ato për të financuar tranzicionin e gjelbër. Ndërsa në pamje të parë vendimi duket se dëmton ambiciet e ekonomisë më të madhe të Europës për të transformuar ekonominë e saj, thellësisht çështja ka të bëjë me ‘frenimin e borxhit’ dhe disiplinës fiskale të Gjermanisë.
“Frenimi i borxhit”, i cili është përfshirë në kushtetutën e Gjermanisë për më shumë se një dekadë, përcakton se huamarrja e re e vendit nuk mund të kalojë 0.35% të PBB-së së tij vjetore. Kushtetuta gjermane parashikon pezullimin e “frenave” në raste emergjence, si fatkeqësitë natyrore apo kushte të tjera jashtë kontrollit të qeverisë. Për këtë arsye vlefshmëria e tij u pezullua për tre vjet për shkak të pandemisë dhe nevojës për financimin e masave të ndryshme mbështetëse.
Nga ana tjetër transportuesi më i madh hekurudhor gjerman “Deutsche Ban” ka nisur një grevë të re e cila prek trenat ndërqytetës, rajonalë dhe ato të qytetit. Vlerësohet se pas përfundimit të grevës do të duhen disa ditë që bllokimi i trafikut të normalizohet.
Punonjësit e hekurudhave tashmë kanë kërcënuar me grevë gjatë sezonit të Krishtlindjeve nëse nuk plotësohen kushtet e tyre për pagat. Ata kërkojnë rritje pagash me 555 euro në muaj. Gjithashtu, kohëzgjatja e orarit të punës së punëtorëve me turne duhet të reduktohet nga 38 në 35 orë në javë pa ulur pagat.
Marrë nga Scan tv