Më 4 gusht 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e ndërmjetëm të Politikës Monetare. Objektivi kryesor i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve
Stabiliteti i çmimeve nënkupton arritjen e normave të ulëta, por pozitive të inflacionit, dhe ruajtjen e tyre në këto nivele për një periudhë relativisht të gjatë.
Banka e Shqipërisë e ka përkufizuar stabilitetin e çmimeve si një normë të inflacionit vjetor të çmimeve të konsumit në nivelin 3.0% në afatin e mesëm.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në fjalën e tij për Raportin e Politikës Monetare të publikuar më datë 12 gusht 2021 në faqen e Bankës së Shqipërisë, tha se ekonomia shqiptare shfaqi shenja inkurajuese gjatë gjysmës së parë të vitit.
Në informacionin e marrë për analizë në raportin e përgatitur me të dhëna që datojnë deri në 22 korrik 2021, tregohet se rikuperimi i aktivitetit ekonomik po fiton shpejtësi.
"Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë të vitit, një normë kjo e cila tejkaloi pritjet tona. Analiza e informacionit të disponuar sugjeron një përshpejtim të mëtejshëm të normës së rritjes në tremujorët në vijim."- shkruan në raport z. Sejko.
"Për më tepër, ky rikuperim mbështetet në një gamë të gjerë faktorësh dhe është prezent në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Reduktimi i kufizimeve falë procesit të vaksinimit, rritja e besimit të biznesit e konsumatorit, përmirësimi i ekonomive partnere, si dhe politikat mbështetëse monetare e fiskale, kanë sjellë rritje të konsumit të familjeve, të investimeve publike e private, si dhe të eksporteve. Nga kjo ecuri kanë përfituar si sektori prodhues dhe ai i shërbimeve, duke ofruar më shumë frymëmarrje për biznesin dhe duke krijuar premisa për rritjen e punësimit e të pagave në të ardhmen."-ka shtuar z. Sejko.
Ai thekson se falë ambientit financiar të ofruar nga kursi stimulues i politikës monetare është mundësuar një rritje e qëndrueshme e kredisë për sektorin privat, e vlerësuar rreth nivelit 7.7% në tremujorin e dytë.
Këto trende pozitive kanë shtyrë rishikimin për lart të projeksioneve të tyre të rritjes ekonomike për vitin 2021, dhe kanë përforcuar më tej pritjet për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2022.
"Megjithatë, Banka e Shqipërisë konstaton se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, ndërsa punësimi është ende poshtë nivelit që kishte para pandemisë. Po ashtu, Banka e Shqipërisë gjykon se rikuperimi i qëndrueshëm i ekonomisë duhet të vijojë të ankorohet në kushte të përshtatshme financimi përgjatë gjithë horizontit afatmesëm, dhe se rreziqet e kahut të poshtëm, e sidomos ato të lidhura me ecurinë e pandemisë dhe kufizimet që mund të burojnë prej saj, janë ende të pranishme."- tregon Guvernatori.
Duke vlerësuar se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për rikuperimin e qëndrueshëm të ekonomisë ashtu dhe për kthimin e inflacionit në objektiv Këshilli Mbikëqyrës vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%.
Sipas pritshmërive të tij nëpërmjet ruajtjes së kushteve të përshtatshme financiare do të arrihet nxitja e konsumit dhe e investimeve, e cila përkthehet më tej në rritje të punësimit e të pagave dhe në kthim gradual të inflacionit në objektiv.
"Edhe në të ardhmen, politika jonë monetare do të kujdeset të ofrojë mbështetjen e duhur për rikuperimin e ekonomisë, duke e konsideruar atë një parakusht të nevojshëm për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv."- ka përfunduar fjalën e tij për Raportin e Politikës Monetare, z. Gent Sejko.
Burimi: Banka e Shqipërisë