Guvernatori Sejko mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti Bretton Woods, me temë “Bankat qendrore dhe bankingu qendror në një botë shumë komplekse: Demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë”, të organizuar në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Konferenca ishte e organizuar në disa panele, ku u diskutua lidhur me çështje të tilla si: pavarësia e bankave qendrore, si një shtyllë kyçe e ekonomisë moderne politike; perspektiva mbi mandatet e bankave qendrore; financat përfshirëse gjinore në rajonin e EJL-së; dhe vlerësimi i episodit më të fundit të krizës dhe mësimet e nxjerra.
Konferenca mblodhi folës nga institucione financiare ndërkombëtare dhe akademike, si dhe nga banka qendrore, si: z. Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë; z. Boštjan Vasle, Guvernator i Bankës së Sllovenisë; zj. Jorgovanka Tabaković, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Serbisë; zj. Irena Radović, Guvernatore e Bankës Qendrore të Malit të Zi; zj. Jasmina Selimović, Guvernatore e Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës; z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; zj. Anca Dragu, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Moldavisë.
Sejko u shpreh se vitet e fundit, bankat qendrore kanë marrë përsipër përgjegjësi që shtrihen përtej fokusit të tyre tradicional në politikën monetare. Ndryshimet klimatike, në veçanti, janë bërë një shqetësim i rëndësishëm, pasi paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë ekonomike.
Ndërsa përgjegjësitë e reja të tilla si menaxhimi i rreziqeve klimatike dhe monedhave digjitale – janë të rëndësishme, ato duhet të plotësojnë dhe jo të konkurrojnë rolet tradicionale të bankave qendrore. Guvernatori shtoi se stabiliteti financiar afatgjatë mund të rritet, duke integruar me kujdes këto mandate dytësore.