Rrënojat arkeologjike të periudhës romake, ndodhen vetëm disa kilometra larg Gjirokastrës, dhe nuk duhen humbur për të apasionuarit e historisë.
Siti arkeologjik i Hadrianopolit ndodhet në fshatrat rreth Gjirokastrës, mbi luginën e Lumit Drino. Ndiqni rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavije dhe në afërsi të fshatit Sofratikë, mbi kodrinat e buta përballë tij, ndodhen rrënojat e qytetit të vjetër romak. Gjatë gjithë rrugës ju ndihmojnë tabelat e sinjalistikës turistike, të cilët e bëjnë të këndshëm dhe të lehtë mbërritjen në destinacin.
Arkeologji
Siti turistik është një nga zbulimet më të mëdha mbi Luginën e lumit Drino. Rrënojat e tij përfaqësojnë identitetin e një prej qyteteve më të rëndësishme të epokës romake në jug të Shqipërisë. Fillimisht është zbuluar teatri, më pas gërmimet që nuk kanë ndalur asnjëherë, nxorrën në dritë të tjera dëshmi të pasura. Është një monument i mrekullueshëm i trashëgimisë evropiane. Për shkak të vlerave arkeologjike disa universitete të njohura të kontinentit kanë kryer shpesh ekspedita afatgjata kërkimore dhe studimore.
Çfarë do të vizitoni
Hadrianopoli përfaqëson gjurmët e një qytetërimi tipik romak me teatër, me shkallë urbane, me mure të vogla që krijojnë atmosferën e jetës humane. Sipas studiuesve qyteti u ngrit nga perandori Adrian i cili hodhi themelet e një qyteti antik pas djegies dhe shkatërrrimit të Antigonesë. Rrënojat e teatrit u zbuluan rastësisht gjatë viteve ’70 të shekullit të kaluar. Shkallët prej guri që rrethojnë skenën, rradhët simetrikë që formojnë një gjysëm rrethi thuhet se kishin volum për të mbajtur qindra spektatorë.
Gërmimet
Kërkimet vazhdojnë për të zbuluar objekte të tjera të jetesës së banorëve të qytetit antik. Restauratorët kanë ndërtuar breza të vegjël me gurë për të ruajtur armaturat origjinale, falë të cilave kupton më mirë në imagjinatë kufijtë e qytetit të Hadrianopolit, pjesë e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Banorët përreth e njohin Hadrianopolin si teatri i Sofratikës. Siti arkeologjik është i zbuluar nga bimësia dhe kjo i jep më shumë bukuri lashtësisë që jeton në ditët tona.
Burimi: Into Albania