Hekurudha Shqiptare (HSH) njoftoi këto ditë se tenderi për stacionet që do të ndërtohen përgjatë linjës së re mes Tiranës dhe Durrësit do të hapet gjatë marsit.
Në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që është një nga institucionet financiare që po mbështet këtë projekt, u publikua njoftimi për këtë procedurë. Konkretisht sipas shpalljes që ka bërë HSH po kërkohen operatorë për të kryer punimet dhe konsulencë sipas kontratave që do të publikohen në vijim.
“Klienti i mësipërm (në këtë rast HSH) synon që të përdore një pjesë të kredisë/garantit administruar nga BERZH drejt Kostos së projektit të specifikuar.
Informacion shtesë mbi financimin: BERZH: 49.569 mln euro, BE dhe ËBIF 40.7 milionë euro, qeveria shqiptare 16.1 mln euro, Iniciativa Italiane për Europën Qendrore 0.5 mln euro dhe fondi special i aksionarëve të BERZH 0.4 mln euro.
Informacion mbi projektin, përshkrimi: Projekti ka një kosto totale të vlerësuar prej 90.3 mln euro dhe do të kërkojë prokurimin e të mirave, punimeve dhe shërbimeve të mëposhtme:
-Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një lidhjeje të re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza; – Shërbime Konsulence për Mbikëqyrjen e Punimeve; – Shërbime konsulence për tarifat e aksesit në gjurmë; – Kontratë Pune për ndërtimin e Stacioneve Hekurudhore përgjatë Hekurudhës së Tiranës Durrës. (Vlerësohet se do të publikohet në fillim të marsit 2024) Vlera totale e parashikuar e projektit 85.79 mln euro” thuhet në publikimin e bërë në faqen e BERZH.
Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës kanë filluar në nëntor 2021 kur nisi edhe zhvendosja e shinave të vjetra. Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro.
Linja e rikonstruktuar e Tiranë-Durrës do të kalojë mbi linjën e vjetër ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re. Sa i takon stacioneve nga Hekurudha Shqiptare është konfirmuar më herët se stacionet ekzistuese do të vijojnë të mbeten në të njëjtat vendndodhje, ndërsa stacionet e reja do të jenë në aksin e ri nga Domje në Aeroportin e Rinasit.
“Stacionet janë si më poshtë: Durrës – Shkozet – Sukth – Vorë – Kashar (rikonstruksion total i stacioneve ekzistuese), Universiteti Epoka/Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë (tërësisht të rinj) dhe zona pranë Spitalit Hygeia është stacioni i fundit i projektit në zbatim e sipër.
Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë (PTT) deri te Bulevardi i Ri. Konkretisht, në zonën e Spitalit Ushtarak dhe në Bulevardin e Ri. Po mendohet të shtohet edhe një stacion i 11-të në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” – Bulevardi i Ri” do të konfirmonte në një intervistë për “Monitor” Gentian Liko, administrator i Hekurudha Shqiptare./Monitor