Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Politikëbërja në “ujëra të turbullta”: Nxitja e Elasticitetit në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE)”, e cila u mbajt në datat 2 dhe 3 Qershor, në Dubrovnik të Kroacisë, organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Kombëtare e Kroacisë.
Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e sesionit “Tryeza e Politikës: Drejtimi i politikave makroekonomike përmes goditjeve më të shpeshta të ofertës”, së bashku me drejtoren menaxhuese të FMN, Kristalina Georgieva, Zëvendës President Ekzekutiv të Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, dhe Kryetarin e Bordit të Bankës së Lituanisë, Gediminas Šimkus.
Në fjalën e saj, ajo u fokusua në rolin e politikës fiskale sa i përket sfidës së uljes së nivelit të inflacionit dhe stabilizimit të ekonomisë përballë goditjeve të ofertës.
“Disktuam mbi impaktin e krizave të njëpasnjëshme që bota ka kaluar dhe efektet e krizave, se si e shohim botën në të ardhmen, se sa e rëndësishme është që të përballojmë krizat, që politikat fiskale dhe politikat monetare të jenë të ndërthurura dhe të kordinuara, me qëllim përballimin e krizave aktuale, por pa e ulur vështrimin nga ajo që na pret në të ardhme.
Gjerësisht u diskutua mbi tranzicionin e gjelbër dhe mbi rëndësinë e investimeve të mëdha në fushën e energjisë, por edhe vëmendjen ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat janë në zemër të zhvillimit ekonomik, por janë edhe në zemër të familjeve dhe të të ardhurave familjare qoftë Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera të botës”,u shpreh Ministrja Ibrahimaj në konferencë.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi faktin se Shqipëria në dy dekadat e fundit ka arritur të mbajë një politikë fiskale relativisht të pavarur, e cila ka qenë një faktor kyç në përballimin e disa goditjeve, si tërmeti i vitit 2019, pandemia Covid 19 apo efektet e luftës Rusi-Ukrainë.
Ministrja përmendi disa masa të ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë vitit të kaluar, të cilat ndikuan në nivelin e inflacionit në Shqipëri, i cili rezultoi ndjeshëm më ulët se sa në shumë vende të tjera të rajonit, një prej të cilave ishte mbështetja e shtresave në nevojë, duke bërë disa prioritete të shpenzimeve dhe duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për këtë.
Edhe në rastin e krizës së pandemisë Covid 19 doli në pah rëndësia e masave fiskale për të mbështetur bizneset, për të ruajtur punësimin dhe për të stimuluar aktivitetin ekonomik.
“E parë në aspektin social dhe politik, qoftë në mënyrë indirekte duke stabilizuar ekonominë, qoftë përmes masave më të drejtpërdrejta të synuara, politika fiskale në mënyrë indirekte ishte e dobishme për familjet e cenueshme duke ruajtur vendet e punës, nivelet e të ardhurave dhe aksesin në mallra dhe shërbime thelbësore”, tha Ibrahimaj.