Një procedurë prokurimi që do të ketë dy etapa është hapur së fundi për projektin e impiantit fotovoltaik lundrues mbi liqenin e Vaut të Dejës. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila do të mbështesë financiarisht këtë projekt publikoi në faqen e saj detajet ku nënvizoi se data e mbylljes është 22 dhjetori i këtij viti.
Objekti i kontratës “Projektimi, ndërtimi dhe funksionimi i impiantit fotovoltaik lundrues 12.9 MW i vendosur në liqenin e HEC-it të Vaut të Dejës” është kërkuar nga kompania SENA Solar Energy of Albania.
Kjo sh.a e themeluar vitin e shkuar zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Korporata Elektronenegjetike Shqiptare dhe ka në objekt të aktivitetit ndër të tjera edhe projektin e impiantit në fjalë.
Në korrik të vitit 2020 KESH-it iu miratua një kredi nga BERZH në mbështetje të projektit të impiantit fotovoltaik Lundrues ku nga totali i kostst prej rreth 14 milionë euro, 9.75 milionë euro janë kredi nga ky institucion financiar ndërkombëtar.
Për KESH ky nuk është projekti i parë fotovoltaik që do të zbatohet edhe pse është i pari lundrues. Më herët ishte impianti Fotovoltaik i Qyrsaqit (Hec Vau i Dejës), me kapacitet të instaluar 5.135 MW/p, që filloi zyrtarisht prodhimin më 12 Maj 2022. KESH raportoi pak kohë më parë se për periudhën 3 Mujore (Maj-Korrik), impianti gjeneroi në total 1,623 MWh energji elektrike.
“E konvertuar në vlerë monetare nëpërmjet optimizimit me Kaskaden për shitje ne profilin Peak-of-Peak me çmim mesatar te periudhës prej 272 EUR/MWh, akumulohet një vlerë monetare bruto prej mbi 441,000 EUR. Duke zbritur kostot e prodhimit, përfitueshmëria neto si rezultat i optimizimit PV-Kaskade arrin ne 346,500 Eur, vetëm për këtë periudhë” do të nënvizonte KESH.
Ndërkohë administratori i Korporatës Ergys Verdho nënvizoi për “Monitor” në një intervistë të pak javëve me parë se në kuadër të shtimit të diversifikuar të kapaciteteve prodhuese KESH është në fazën kur ka aplikuar për ndërtimin e një impianti tjetër fotovoltaik në Digën e Zadejës po në HEC Vau i Dejës, me fuqi të instaluar të përllogaritur prej 8.25 MW.
Diversifikimi i burimeve të Koporatës është nënvizuar se do të sjellë një optimizim më të mirë të kaskadës duke alternuar prodhimin sipas kushteve.
Burimi: Revista Monitor