Bordi i Drejtoreve Ekzekutive te Bankes Boterore ka aprovuar strategjine 5-vjecare te partneritetit me Shqipërinë (2023-2027). Kjo strategji synon të ndihmojë vendin të rimëkëmbet shpejt dhe të transformohet në një ekonomi më të fuqishme, më gjithpërfshirëse, me aftësi ripërtëritëse dhe më të gjelbër.
Strategjia do të përqendrohet në tri sfida kyçe: më shumë dhe vende më të mira pune, përdorim më i mirë i kapitalit njerëzor, dhe rritje e aftësisë përballuese dhe ripërtëritëse ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të llojeve te tjera. Këto drejtime kryesore do të ndërthurren edhe me iniciativa për zgjerimin e digjitalizimit dhe përfshirjes.
Strategjia e Partneritetit është në përputhje me përparësitë strategjike të Qeverisë dhe mbeshtetet nga një portofol financiar prej 900 milionë dollarësh.
Katër projektet e reja të miratuara së bashku me Strategjinë arrijnë një vlerë prej 355 milion USD dhe tregojnë mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore me qëllim që Shqipëria të arrijë rritje më të gjelbër, me më shumë aftësi ripërtëritëse dhe gjithëpërfshirje më të madhe. Projekti i Ndërtimit të Urave të Forta (100 milionë $) synon rehabilitimin e urave në rrezik dhe përmirësimin e sistemeve të tyre të mirëmbajtjes. Projekti i Bujqësisë Konkurruese dhe me Aftësi Përballuese ndaj Klimës (70 milionë $) do të përqendrohet në nxitjen e inovacionit në bujqësi, në zgjerimin e ujitjes inteligjente dhe rritjen e aksesit të produketeve bujqësore në tregjet vendase dhe ato të BE-së. Projekti i Qasjes Universale në Shërbime Publike me Standard të Lartë (GovTech) (65 milionë $) do të ndihmojë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive digjitale për fëmijët në shkolla. Financimi i Politikave të Zhvillimit (120 milionë $) do të ndihmojë në forcimin e aftësisë ripërtëritëse të ekonomisë dhe qëndrueshmërinë mjedisore të modelit të rritjes së Shqipërisë.
Ky lajm është komentuar edhe nga Presidenti i Dhomës Amerikane Të Tregtisë Z. Enio Jaço I cili në një postim në rrjetet sociale thotë se mundësitë që Shqipëria të fluturojë drejt investimeve strategjike janë reale.
“Banka Botërore në Uashington ka miratuar një partneritet 5 vjeçar me Shqipërinë me vlerë 900 mln euro me seri operacionesh në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe zhvillimit njerëzor. Ky është një instrument i fuqishëm financimi për shërbime publike efikase me përfitues kryesor ekonominë dhe qytetarët në masën më të gjerë.Për Shqipërinë, projektet publike parashikojnë përmirësimin e inovacionit në bujqësi dhe aksesin në tregjet lokale dhe evropiane, standarde të larta për shërbimet publike për të ndihmuar gjeneratën e ardhshme në dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe zgjerimin e aftësive dixhitale për fëmijët në shkolla, financimin e qendrueshmërisë mjedisore etj.”– thotë Jaço.
Presidenti i Dhomës Amerikane thotë se tashmë puna I takon institucioneve publike.
“I takon institucioneve publike të jenë sa më ambicioze për të krijuar projekte me impakt të lartë. Por momenti i hapjes së negociatave me BE dhe nevoja për reformë e bëjnë këtë një periudhë të artë për këto investime. Si gjithmonë bashkëpunimi me sektorin privat do ishte kyç për kthimin e këtyre investimeve me impaktin më të lartë!” – thotë Jaço.
Këto projekte të reja do të plotësojnë portofolin aktual të Bankës Botërore prej 5 projektesh në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës, dhe zhvillimit njerëzor.