Porti i Durrësit do të transformohet në Marinën më të madhe në Mesdhe, një investim, më i madhi i huaj në Shqipëri prej 2 miliardë eurosh nga Emaar Group.
Kryeministri Edi Rama ndau me ndjekësit në Facebook maketin e përfunduar në studion urbanistike të Emaar Group në Dubai, të transformimit të portit të Durrësit.
Në nëntor të vitit të shkuar, qeveria shqiptare firmosi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e hapësirës portuale të Portit të Durrësit.
Porti i ri pritet të ketë infrastrukturë të përmirësuar për ankorimin e mjeteve lundruese, çka do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.
Kompania Emaar, përveç transformimit të hapësirës portuale, synon një mori investimesh transformuese, duke përfshirë rindërtimin e pjesës së bregut të detit, ku do të ndërtohen dhe ambiente argëtuese, qendra tregtare, apartamente e ndërtime hotelerie me 5 yje.