Të dhënat e eksporteve duken mjaft optimiste në muajt e parë të vitit. Sipas ministres së Bujqësisë Frida Krifca ka një rritje të volumeve të eksportit për prodhimet bujqësore në tregjet ndërkombëtare ku krahasimi i periudhës janar-prill 2023 ka një rritje të eksporteve bujqësore prej 5.3% në sasi dhe 12.1% në vlerë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Trendi në rritje i eksportit është tregues i qartë i politikave të duhura që kanë mbështetur të gjithë zinxhirin prodhues-grumbullues e standardizues të produkteve, i cili ka forcuar pozicionin tonë në tregjet e eksportit dhe na sjell më afër me përmbushjen e objektivit prej 1 miliardë dollarë eksporte bujqësore brenda vitit 2030, tha Krifca .
“Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone. Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete të botës”, bazuar në statistikat më të fundit të eksporteve.