Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka pasur në fokus të shtuar kontrollet në kantinat e verës dhe importuesit e produkteve të akcizës. Sipas këtij institucioni, nisur nga prioritetet dhe risku, administrata doganore është përqendruar në kontrollin e operatorëve me kontribut më të madh në të ardhura, kryesisht importuesit dhe prodhuesit e produkteve të akcizës “birrë”, “pije alkoolike” dhe “verë”. Mbi bazën e analizës së riskut janë evidentuar operatorët ekonomikë me risk të shtuar, si dhe janë ushtruar kontrolle pranë këtyre operatorëve ekonomik.
Doganat theksojnë se kontrollet e ushtruara kanë qenë të mbështetura në analizë risku dhe të shoqëruara me relacion përkatës, në të cilin shprehen indikatorët e riskut për çdo kontroll të propozuar, sipas ligjit në fuqi.
Referuar të dhënave të publikuara në Librin Jeshil të doganave, përgjatë vitit 2023, janë kryer në total 86 kontrolle nga të cilat 17 janë importues të produkteve verë, birrë dhe pije alkoolike ndërsa 69 janë prodhues vendas të produkteve verë, raki, pije alkoolike dhe birrë. Si rezultat i tyre janë evidentuar detyrime dhe vendosur penalitete në 4 raste me detyrime të munguara në vlerën prej 800 mijë lekë, të cilët janë ndëshkuar e masa administrative të regjistruara në masën prej 1.8 milionë lekësh.
Sipas doganave për vitin 2024 ky sektor do të vijojë të ketë në fokus kryesor parandalimin e evazionit fiskal, shmangieve përmes sensibilizimit të operatorëve ekonomikë dhe monitorimin e vazhdueshëm nëpërmjet kontrolleve që do ushtrohen në vijimësi.
Të dhënat zyrtare të doganave për 3-mujorin e parë të vitit tregojnë rritje të ndjeshme të importit të mallrave të akcizës, por pritshmëria edhe për prodhimin mbetet e lartë për shkak të sezonit të mirë turistik që presim dhe rritjes së konsumit në këtë drejtim./Scan