Ministria e Financave po bën gati shtesën e pagave të miratuar për administratën, pasi pavarësisht se rritja ka hyrë në fuqi që nga muaji Prill ende nuk ka kaluar në llogaritë bankare të përfituesve. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, shtesa e pagës për muajin Prill dhe Maj do të disbursohet gjatë këtyre ditëve, ndërsa muaji Korrik do të nisë për të gjithë me pagat e reja.
Duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës që do të kenë ndryshime në pagat e punonjësve dhe mbi 130 mijë të punësuar, Ministria vendosi të marrë kohë për të bërë llogaritjet përkatëse të shtesës si dhe ta kalojë atë në muajin Qershor.
Në fund të muajit Maj, Parlamenti ka miratuar projektligjin për rritjen e pagave cili shtrin efektet nga data 1 Prill 2023, ku ndryshe nga sa ish menduar, përfitues do të jenë edhe ministrat dhe deputetët. Kështu paga më e lartë do të jetë ajo e Presidentit të Republikës, e cila shkon në 425 mijë lekë nga 257 mijë lekë. Nga ndryshimi në hierarkinë e pagave përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit.
Paga e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit shkon rreth 395 mijë lekë në muaj. Ministrat, do të kenë një pagë mujore që rezulton në rreth 318 mijë lekë bruto. Ndërsa paga e re për deputetët thuajse është dyfishuar, duke arritur në 310 mijë lekë në muaj.
Nga rritja e pagave ka përfituar gjithë administrata publike, mjekët, infermierët, arsimtarët, punonjës të policisë për të cilët rritja ishte në nivelin 7 %. Deri më tani duket se nga kjo reformë përfituan funksionarët më të lartë të shtetit, për të cilët rritja ishte mbi 50 për qind. Qeveria parashikon që në dy vitet në vijim paga mesatare në administratën publike të arrijë në 900 euro.
Burimi: Scan tv