Këto dy lugina shtrihen midis qytetit të Lezhës dhe Detit Adriatik, në të dy anët e grykëderdhjes së Drinit. Edhe pse gjithnjë të përmendura bashkë për gjeorëndësinë e tyre. Ato janë dy element të ndara dhe me rëndësi të ndryshme.
Nëse në Kunë shkohet për plazhin e mrekullueshëm , në Vain shkohet për qetësinë e pyllit ose për gjueti sportive. Në të dy lagunat gjenden disa nga restorantet më të mira të zonës.
Laguna e Kune Vainit, përveç se një nga asetet turistike të veriperëndimit të vendit, është një atraksion i përhershëm dhe lehtësisht i arritshëm falë ndërtimit të infrastrukturës. Laguna, e shpallur e para zonë e mbrojtur në vend, rreth 80 vjet më parë, gjendet 8 km larg Lezhës. Ajo cilësohet si një nga më interesantet dhe gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë të huaj dhe vendas.
Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.
Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë, rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj.