Ligjvënësit gjermanë do të miratojnë legjislacionin e vonuar që dekriminalizon përdorimin personal të kanabisit, duke hapur rrugën që ai të hyjë në fuqi më 1 prill, tha ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach. Ligji do t’u lejojë të rriturve të posedojnë deri në 25 gramë kanabis, të kultivojnë maksimum tre bimë për konsum privat dhe të kultivojnë drogën si pjesë e klubeve jofitimprurëse të kanabisit në një limit prej 500 anëtarësh.
Ky është hapi i parë drejt një legalizimi më të gjerë të marijuanës në ekonominë më të madhe të Evropës. Planet e mbështetura nga kabineti i kancelarit Olaf Scholz u vonuan për shkak të kundërshtimit nga disa ligjvënës në koalicionin qeverisës.
Përpjekja e qeverisë ka shkaktuar kritika të forta nga konservatorët kryesorë të opozitës gjermane, të cilët argumentojnë se dekriminalizimi do të dëmtojë shëndetin e të rinjve dhe do të rrisë barrën mbi policinë. Aleanca në pushtet thotë se qëllimi është të frenojë tregun e zi, të trajtojë krimin e lidhur me drogën dhe të mbrojë kundër produkteve të kontaminuara.
“Patjetër që do të ketë votën e nevojshme, ne do ta realizojmë atë”, tha Lauterbach të martën në një intervistë për radion Deutschlandfunk. “Unë besoj se ne po bëjmë një hap të rëndësishëm larg një politike të dështuar të kanabisit.“
Lauterbach citoi studime që sugjerojnë se ligji do të heqë në mënyrë efektive dy të tretat e tregut të paligjshëm të kanabisit, duke ndihmuar në parandalimin e shitjes së produkteve toksike nga tregtarët.
“Mundësia që tregu i zi për kanabisin të tkurret ndjeshëm është shumë i lartë,” tha Lauterbach, duke treguar Kanadanë si një shembull të legalizimit të suksesshëm të marihuanës.
Përkthyer dhe përshtatur nga Financial Post për Probizz.al