Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian arritwn marrëveshjen përfundimtare për ligjin e parë për rregullimin e inteligjencës artificiale, teksa institucionet në mbarë botën garojnë për të futur kufizime për teknologjinë.
Këshilli i BE-së tha se kishte miratuar Aktin e AI – që vendos rregulla gjithëpërfshirëse rreth teknologjisë së inteligjencës artificiale.
“Miratimi i aktit të AI është një moment historik i rëndësishëm për Bashkimin Evropian,” tha Mathieu Michel, Sekretari i Shtetit i Belgjikës për dixhitalizimin në një deklaratë të martën.
“Me aktin e AI, Evropa thekson rëndësinë e besimit, transparencës dhe llogaridhënies kur kemi të bëjmë me teknologjitë e reja, ndërsa në të njëjtën kohë siguron që kjo teknologji me ndryshim të shpejtë mund të lulëzojë dhe të nxisë inovacionin evropian,” shtoi Michel.
Akti i AI zbaton një qasje të bazuar në rrezik për inteligjencën artificiale, që do të thotë se aplikime të ndryshme të teknologjisë trajtohen ndryshe, në varësi të kërcënimeve të perceptuara që ato paraqesin për shoqërinë.
Ligji ndalon aplikimet e AI që konsiderohen “të papranueshme” për sa i përket nivelit të tyre të rrezikut. Aplikacione të tilla përmbajnë të ashtuquajturat sisteme të “vlerësimit social” që i rendit qytetarët bazuar në grumbullimin dhe analizën e të dhënave të tyre, policimin parashikues dhe njohjen emocionale në vendin e punës dhe në shkolla.
Sistemet e AI me rrezik të lartë mbulojnë automjete autonome ose pajisje mjekësore, të cilat vlerësohen në bazë të rreziqeve që ato paraqesin për shëndetin, sigurinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Ato përfshijnë gjithashtu aplikime të AI në shërbimet financiare dhe arsimin, ku ekziston rreziku i paragjykimeve të ngulitura në algoritmet e AI.
CNBC