Lindjet vijojnë trendin rënës edhe në tremujorin e dytë të këtij viti tregojnë të dhënat mbi treguesit demografikë nga “Instituti i Statistikave”. Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2023 është 5,119, duke shënuar një rënie me 8.2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2022. Ndërkohë, lindjet kanë shënuar rënie edhe nëse e krahasojmë me tremujorin e parë të këtij viti, i cili regjistronte 5,164 lindje. Rënia fiksohet në 16.9%. Pra, e thënë ndryshe, në gjysmën e parë të këtij viti numri i lindjeve në total është regjistruar në 10,284, nga 11,791 të tilla që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Rënia është e konsiderueshme, me plot 12.8% këtë vit.
Në tremujorin e dytë 2023, një qark i vendit shënon rritje të numrit të lindjeve, ndërsa njëmbëdhjetë qarqe të tjera shënojnë ulje, në krahasim me tremujorin e dytë 2022. Rritje të lindjeve në përqindje gjatë tremujorit të dytë 2023, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2022 e ka vetëm qarku i Vlorës me 2.4%, ndërsa rënien më madhe e ka qarku i Beratit me 19.2%, pasuar nga Dibra me 15.3% dhe Kukësi me 13.3%.
Nga ana tjetër, shumë e ulët mbetet shtesa natyrore, edhe pse pozitive. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2023 rezulton pozitive, duke regjistruar 465 lindje më shumë se sa vdekje. Ndërkohë, në tremujorin e kaluar shtesa natyrore e popullsisë regjistrohej në 393 lindje më shumë se vdekje, duke shënuar kështu një rritje modeste.
Lajmi i mirë është se paralelisht me numrin e lindjeve ka rënë edhe nnumri i fatalitetve me 8.1%. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2023 është 4,654. Në tremujorin e dytë 2023, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, ndërsa një qark shënon rritje, në krahasim me tremujorin e dytë 2022. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të dytë 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 e zë qarku i Durrësit me rënie prej 17.6%, pasuar nga qarku i Fierit me 15.4% dhe Elbasani me 12.4%. Ndërkohë, i vetmi qark me rritje të numrit të vdekjeve rezulton Tirana me 0.4%.
Burimi: Scan tv