Nëse doni të katapultoheni në një natyrë fantastike, liqeni i Shkopetit dhe kodrat e mbuluara nga gjelbërimi janë një zgjedhje e pashmangshme!
Sapo sheh së largu Grykën e Shkopetit, kupton se vendi që po viziton nuk i ngjason aspak destinacioneve të tjera natyrore të Shqipërisë. Kjo grykë tërthore e formuar nga aktiviteti eroziv i lumit të Matit, i ngjason një porte të madhe shkëmbore që duket sikur po hapet për të mirëpritur këdo që ka vendosur të vizitojë liqenin e Shkopetit.
Gjatësia e grykës është rreth 60 metra, dhe aty u krijua dhe diga e hidrocentralit të Shkopetit në vitin 1963. Nëse doni të pushoni e të shihni nga afër grykën, mu pranë saj ndodhet dhe një lokal i këndshëm tek i cili mund të qëndroni për të pirë diçka, apo për të shijuar të pashqetësuar natyrën përreth. Aty jepet dhe mundësia e vozitjes së liqenit me varka të vogla.
Kushdo që do të hyjë në brendësi të kodrave përreth liqenit, do shohë përgjatë rrugëtimit dhe ujëvara të vogla që derdhen në liqen. Ky i fundit, popullohet nga lloje të ndryshme peshqish si krap, nilë, apo mustakë sardale. Thellësia e liqenit është 75 metra, tek sa zgjatet përreth 11 kilometrave, duke e bërë shëtitjen me makinë vërtet të pëlqyeshme për peizazhet që përcjell.
E sikur të mos mjaftonte vetëm liqeni i Shkopetit, kjo zonë i përket dhe Parkut Rajonal të Ulzës, me liqenin e Ulzës që është gjithashtu një perlë më vete, e që ofron disa panorama vërtet mbresëlënëse. Gjatë verës ka plot nga ata që zgjedhin të lahen në ujërat e liqeneve, apo të praktikojnë sporte ujore.
Ndaj nëse doni t’i kushtoni një fundjavë natyrës, rreth dy orë larg me makinë nga Tirana do të keni fatin të vizitoni një vend ende të parrahur nga turistët, që përfshin liqene, bimësi, e një natyrë prej së cilës është vërtet shumë e vështirë të ndahesh.
Burimi: Into Albania